Veton Berisha: Do të ankohemi për orkestrimin e votave nga Lista Serbe

01 mars 2021 | 13:29

Ish-deputeti i komunitetit egjiptian në Kuvendin e Kosovës, Veton Berisha, ka bërë me dije se do të ankohen në të gjithë mekanizmat e drejtësisë për orkestrim të votave nga ana e Listës Serbe në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Berisha ka thënë se këtë gjë do ta bëjnë pas përfundimit të numërimit të votave.

“Ne të vetmen rrugë ligjore që e kemi, është ushtrimi i të drejtës tonë për ankesë. Po i presim rezultatet preliminare, pastaj KQZ-ja na jep të drejtën e ankesës sepse është fazë që kështu e përcakton ligji dhe ne do të ushtrojmë ankesën tonë. Do t’u drejtohemi institucioneve përkatëse, në këtë rast PZAP-së, Gjykatës Supreme dhe Gjykatës Kushtetuese. Janë tre mekanizma që ne i pretendojmë, shpresojmë shumë, besojmë fuqishëm se qysh në nivelin e parë në PZAP ne do të marrim konfirmimin zyrtar i cili është në favor të së drejtës dhe të asaj që vërtete konstatohet se ka pasur orkestrim të votave. Duke u bazuar në profesionalizmin e tyre dhe në argumentet që ne do t’i ofrojmë mendoj që ne do t’i kemi dëshmitë e mjaftueshme për të vendosur në anulimin e këtyre votave” është shprehur ai për “EO”.

Berisha, i cili është udhëheqës i Partisë Liberale Egjiptiane(PLE), ka pohuar se do të kërkojnë anulim të votave pasi që në zgjedhjet e fundit është parë votë për Listën Serbe në zonat që nuk ekziston asnjë pjesëtar i komunitetit serb.

“Ne do të kërkojmë anulim për faktin që votat ekzistojnë sigurisht që PZAP-ja ka të drejtën edhe të vendosë se si ta vlerësojë. Rinumërimi do ta qes rezultatin e njëjtë sepse ajo janë vota brenda të kontestuara të cilat haptas vërehen që ka pasur votë për partinë dhe jo për kandidatin për deputet, dhe ka votë në zonat që fare nuk ekziston asnjë pjesëtar i atij komuniteti. Ne po e shohim haptas dhe secili në Kosovë është duke e parë këtë dukuri dhe do të mbetet që drejtësia ta thotë fjalën e saj”, ka deklaruar Berisha.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit sipas komuniteteve joserbe ka pasur manipulim të votave nga Lista Serbe.

Një shqetësim të tillë e kanë ngritur edhe organizatat joqeveritare që merren me monitorimin e procesit zgjedhor, të cilat edhe kanë kërkuar hetim nga prokuroria.

Ndryshe, Berisha ka konfirmuar pjesëmarrjen në protestën e nesërme, lidhur me përfaqësimin e komuniteteve në Kuvend.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Futbollisti dhe trajneri legjendar kroat i futbollit, Zlatko Cico Kranjčar,…