Vettel: Sezoni i duhur për t’i bërë ëndrrat realitet

14 mars 2018 | 17:37

 

Sebastian Vetteli ka mbyllur testet dimërore në Formula 1 me shumë optimizëm, duke shpresuar të jetë protagonist sezonin që do të nisë pas 10 ditësh, në Australi.

Ferrari tashmë nuk duhet të gabojë më dhe piloti gjerman e di shumë mirë se pas një dekade në hije, makina “kokëkuqe” duhet të fitojë të paktën një titull kampion, atë për pilotë ose për konstruktorë. “Ky do të jetë sezoni i duhur për t’i kënaqur tifozët dhe pas rritjes së madhe që patëm gjatë 2017-s, tani duhet ta bëjmë hapin final dhe ta fitojmë titullin kampion. E dimë se rivaliteti është i madh, por kjo gjë nuk na tremb dhe ne kemi përvojën e duhur për t’ia dalë mbanë”, ka thënë Vetteli. Gara e parë e Botërorit do të jetë në Australi, aty ku Vetteli vjet fitoi, ndaj piloti gjerman do të garojë për të arritur një tjetër sukses. “Është një pistë e mirë, por është gara e parë sezonale dhe aty të gjitha skuadrat do ta zbulojnë potencialin e tyre. Testet dimërore treguan se nuk kemi probleme dhe arritëm ta marrim informacionin e nevojshëm. Po bëjmë përgatitjet e fundit për të qenë gati për garën e parë, ku një fitore do të ishte një ogur i mirë për të ardhmen”, u shpreh piloti gjerman Sebastian Vettel, katër herë kampion bote në Formula 1, por me makinën italiane nuk ka arritur asnjë titull kampion dhe këtë gjë synon ta realizojë këtë sezon.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ndeshja kthyese e 1/8 së finaleve në mes Beshiktashit dhe…