Vëzhguesit e zgjedhjeve nga BE-ja: Shkarkimi i Dakës nga Osmani në shpërputhje me praktikat e mira ndërkombëtare

07 shkurt 2022 | 13:41

Misioni i Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve ka publikuar raportin përfundimtar pas vëzhgimit të Zgjedhjeve Lokale, të cilat janë mbajtur më 17 tetor (raundi i parë) dhe 14 nëntor (raundi i dytë).

Në deklaratën e këtij misioni është theksuar se KQZ-ja i ka bërë përgatitjet për zgjedhje në mënyrë profesionale, duke respektuar të gjitha afatet ligjore dhe gëzoi një nivel të lartë besimi nga të gjitha palët e interesuara.

Por, vëzhguesit evropianë kanë dhënë një vlerësim jo të mirë për shkarkimin e kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, nga presidentja Vjosa Osmani.

Ata kanë vlerësuar se shkarkimi i Dakës ishte në shpërputhje me praktikat e mira ndërkombëtare.

“Vendimi i presidentes së Kosovës për shkarkimin e ish-kryetares së KQZ-së më 14 qershor, katër vjet para skadimit të mandatit të saj të dytë dhe vetëm një ditë para shpalljes së zgjedhjeve për kryetarë dhe kuvende komunale, u konsiderua nga partitë opozitare dhe shoqëria civile si i motivuar politikisht. Në këtë vendim ndër të tjera pretendohej se kryetarja kishte dëmtuar pavarësinë dhe integritetin e KQZ-së, kishte ushtruar presion të paprecedent mbi stafin e KQZ-së në njërën nga mbledhjet dhe se KQZ-ja kishte shpërfillur problemet që lidhen me listat e votuesve, trajnimin e komisionerëve dhe edukimin e votuesve. Edhe pse Avokati i Popullit hodhi poshtë kërkesën e ish-kryetares së KQZ-së, e cila kundërshtoi shkarkimin e saj, është e diskutueshme nëse arsyetimi i vendimit për shkarkim do të çonte në një përfundim të besueshëm rreth përgjegjësisë së kryetares së KQZ-së”, është thënë në raportin e vëzhguesve të BE-së për zgjedhjet lokale 2021.

Në raportin e vëzhguesve evropianë janë përmendur edhe sulmet verbale dhe obstruksionet e anëtarëve të KQZ-së, nga Lëvizja Vetëvendosje ndaj ish-kryetares Daka.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar tri kadetet e…