VIDEO | Pamjet dramatike nga Polonia, kur një person fillon dhe qëllon me armë ndaj turmës

07 nëntor 2026 | 21:05

Ka shkuar në gjashtë numri i personave që humbën jetën dhe 15 të tjerë mbetën të plagosur pas një sulmi me armë zjarri në sheshin e tregut në Krakov të Polonisë pasditen e sotme.

Sipas një deklarate të policisë lokale në rrjetin social X, një person hyri me automjet në shesh rreth orës 15:00 dhe nisi të qëllonte “në mënyrë të rastësishme ndaj njerëzve nga makina e tij”.

Në rrjetet sociale qarkullojnë video ku duket momenti kur autori qëllon nga makina. Pamjet tregojnë një makinë të zezë që kalon nëpër zonën e tregut, ndërsa dëgjohen të shtëna me armë zjarri dhe njerëzit vrapojnë për t’u strehuar.

Autoritetet bëjnë të ditur se autori i dyshuar ishte shtetas polak dhe veproi i vetëm. Ai u qëllua dhe mbeti i plagosur gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë në afërsi të sheshit. Sipas policisë, personi ishte i veshur me rroba ushtarake dhe përdori një armë zjarri të gjatë, të tipit ushtarak.

Mes 15 të plagosurve janë edhe dy efektivë policie. Njëri prej tyre ndodhet në gjendje të rëndë, pasi u qëllua tri herë gjatë përplasjes me autorin e dyshuar. Ndërkohë, gjashtë viktimat janë katër gra dhe dy burra.

Ngjarja ndodhi në sheshin kryesor të Krakovit, një prej destinacioneve më të frekuentuara turistike në qytetin e dytë më të madh të Polonisë.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Ministri polak i Mbrojtjes, Władysław Kosiniak-Kamysz, ka mohuar raportimet se…