Vihet gurthemeli i Qendrës së edukimit joformal për rini në Pjetërshan të Gjakovës

30 korrik 2018 | 16:17

Në Pjetërshan të Gjakovës të hënën është vënë gurthemeli i Qendrës së edukimit joformal për rini, si një qendër rekreative për fëmijë dhe të rinj, arritur sipas marrëveshjes në muajin maj, mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe OJQ “George Williams Youth Association in Kosovo” (GWY).
Në ceremoninë e organizuar, ndër pjesëmarrësit e shumtë, mori pjesë edhe ministri Kujtim Gashi.

Në ndërtimin e kësaj qendre parashihet që MKRS-ja të investojë 150 mijë euro.

Me këtë rast, ministri Gashi u shpreh se ndërtimi i qendrës të cilës iu vendos gurthemeli është një projekt kapital i cili do të ofrojë kushte shumë të mira për zhvillimin e aktiviteteve të të rinjve dhe edukimin e mëtejmë të tyre.

“Ky gurthemel ka qenë një ëndërr e gjithë neve gjeneratave të kaluara. Kosova duhet të ketë një qendër nacionale të edukimit joformal, por asnjëherë nuk kemi arritur këtë deri sa janë bashkuar shume forca, palë, njerëz e mbi të gjitha persona të vullnetit të mirë”, ka thënë Gashi.

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Adrian Gjini, ka deklaruar se komuna dhe Kosova në përgjithësi ka përfituar nga ky projekt.

Ai ka theksuar se ky vend është atraktiv edhe në sezonin dimëror.

Ai shpreson që kampi do të ekzistojë për ndërtimin e solidaritetit mes njerëzve.

“Komuna ka marrë përsipër të ndërtojë rrugën deri këtu, rruga do të ndërtohet pas mbarimit të ndërtimit të objektit dhe është buxhetuar për vitin tjetër, ku shpresoj që vitin e ardhshëm do të jenë të gjitha gati”, ka thënë Gjini.

Presidenti i Bordit të Drejtorëve të organizatës YMCA, Petrit Bejdoni, ka falënderuar të gjithë bashkëpunëtoret të cilët ndihmuan për këtë ditë të implementimit të këtij projekti për qendrën e të rinjve, që komuna e Gjakovës tani do ta ketë.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
David Luiz ka zhvilluar shumë pak ndeshje në edicionin e…