
Vihet gurthemeli për ndërtimin e dy urave të reja mbi Ibër për lidhjen e Mitrovicës
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e ka mbikëqyrur vënien e gur themelit për fillimin e ndërtimit të dy urave në të dy krahët e urës kryesore mbi lumin Ibër – përmes së cilave Qeveria në detyrë ka thënë se synon ta lidhë Mitrovicën e Veriut të banuar me shumicë serbe me Mitrovicën e Jugut të banuar me shumicë shqiptare.
Ndërtimi i këtyre dy urave të reja – njëra për automjete dhe tjetra për këmbësorë – pritet të përfundojë në vjeshtë dhe kostoja e tyre kap shifrën e rreth 3 milionë eurove, sipas zyrtarëve.
“Jemi këtu ta tregojmë përkushtimin tonë që ndërmjet veriut dhe jugut të ketë sa më shumë komunikim, qarkullim, bashkëpunim e shkëmbime”, tha Kurti pas vënies së gur themeleve.
I pyetur nëse është koordinuar me Bashkimin Evropian për ndërtimin e këtyre dy urave, Kurti tha se “gjithçka që bëjmë ne është në përputhje me planet tona, sipas ligjit, dhe për të mirën e të gjithë qytetarëve. Ata që kanë dilema, mund të na kontaktojnë lirisht dhe ne ua shpjegojmë me përpikëri”.