Vija mbrojtëse e UÇK-së (“Bunkeri nr. 1”) mbi fshatin Reçak

15 janar 2026 | 19:59

Pjesë nga libri në dorëshkrim “Drama e Reçakut”

Shkruan: Lulzim Sahiti

Në agimin e hershëm të 15 janarit, moti ishte shumë i ftohtë, toka e ngrirë dhe errësirë e madhe, kur papritmas ushari i UÇK-së, Ismail Luma kishte hetuar depërtimin tinëzar të forcave armike serbe prapa shpinës. Ai prej orës 4:00 bënte roje në këtë pozicion mbi fshatin Reçak (Bunkeri i Parë), në vendin e quajtur “Livadhi i Shirifit”, ku ishte në dispozicion të përhershëm mitralozi i rëndë “Browing” 12.7 mm. Njëherit, Ismaili kishte me vete edhe pushkën e vet automatike.

Me këtë rast, ai në ora 6:45 në shenjë alarmi për ushtarët e tjerë të UÇK-së që ishin në pozicione në “Çestë”, te “Ura e Pashës” dhe në brendi të fshatit, me një rafal të shkurtër me mitraloz të rëndë i gjuan forcat kriminale serbe. Këto ishin krismat e para për fillimin e një beteje të përgjakshme.

Forcat armike, fillimisht heshtin, mirëpo papritmas dhe në befasi kanë shtënë në ora 6:50 në drejtim të bunkerit me raketahedhës të dorës “Zola”, ku ra dëshmor në fushën e nderit, Ismail Adem Luma (24), i njohur ndryshe si “Altini”.

Krismat kanë vazhduar pambarim dhe nuk ka zgjatur shumë kohë, kur snajperistët serbë afër llogoreve kanë vrarë Kadri Shyqeri Sylën (32), i cili ishte nisur nga Shtabi i UÇK-së për të ndërruar Ismail Lumën.

Sipër tyre te vendi i qujtuar “Zabeli i Sherifit”, pak më vonë nga plumbat e armikut është vrarë edhe ushtari tjetër Enver Hyzri Rashiti (25), korrier i Kompanisë së Reçakut, i cili ishte nisur për të alarmuar rrethimin e fshatit, në Shtabin e UÇK-së të Zonës Opoerative të Nerodimes në Mollopolc. Në këtë kohë pasojnë goditjet nga të gjitha llojet e armëve të policisë speciale mbi pozicionet e UÇK-së dhe mbi fshatin Reçak.


P.S. Në këtë fotografi nga e majta në të djathtë luftëtarët e lirisë: Mehmet Mustafa, Ismail Luma, Shefket Muhadini dhe Nazim Kokollari.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një aksident i rëndë në Slloveni ka marrë jetën e…