Virusi “Korona” e zuri gjithë botën të papërgatitur
Epidemiologia shqiptare Erta Berberi, e cila punon në Florida të ShBA-së, ka thënë se në ditët e fundit ka më pak raste të paraqitura të të infektuarve me virusin “Korona”. “Ditët e kaluara ka pasur shpërthim dhe tash po duket se situata po vihet nën kontroll. Spitalet në Florida nuk janë plot dhe të gjithë pacientët kanë mundësi të shtrihen në spitale për trajtim. Pacientët po e kalojnë me simptoma shumë të lehta, temperaturë të ulët”, ka thënë Berberi.
“Amerika dhe e gjithë bota është zënë e papërgatitur. Amerikës nuk i falet që u zu e papërgatitur, por ka qenë, pavarësisht avancimit në mjekësi”, ka thënë Berberi. Ajo ka shtuar se nëpër shtetet e tjera të ShBA-së mjekët po përballen me mungesë pajisjesh mbrojtëse. “Mungesa e maskave nuk mund t’i atribuohet faktit që Amerika ka qenë e papërgatitur, por njerëzit i ka kapur paniku dhe kanë blerë deri në gjashtë mijë maska një individ dhe kjo ka shkaktuar mungesë të maskave dhe të pajisjeve të tjera. Ka pasur raste kur njerëzit janë ndier mirë fizikisht, por kanë pasur nevojë për këshilla psikologjike. Njerëzit po dëgjojnë dhe lexojnë lajme të rreme dhe kjo mund të shkaktojë ankth të jashtëzakonshëm që mund të bëhet kronik dhe mund të mbetet edhe pasi epidemia të kalojë”, ka thënë Epidemiologia shqiptare Erta Berberi në një lidhje televizive për “Klan Kosova”.



