Viti 2001: Lufta afër e larg

31 dhjetor 2021 | 08:29

Cilat janë ngjarjet që kanë shënuar shqiptarët dhe botën në vitin 2001?

Shembja e Kullave Binjake

Viti 2001 është vit i zhvillimeve të mëdha, kudo në botë. Apple më 2001 lanson platformën iTunes, Mac OS X-in si gjeneratën e ardhshme të sistemit të vet operativ, si dhe produktin iPod. Më 2001 lansohet edhe Wikipedia.

Tony Blair fiton edhe një mandat për të qeverisur me Britaninë e Madhe, ndërsa George W. Bush jep betimin si presidenti i 43-të amerikan. Blair ishte një nga njerëzit më meritor për çlirimin e Kosovës, ndërsa Bushi është presidenti i cili i pari – para vizitës së tij në Shqipëri më 2007 – paralajmëron se do ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Sulmi terrorist mbi kullat binjake

Por, presidenca e Bushit përcillet me shumë probleme, që në vitin e parë të administratës së tij.

Më 11 shtator ndodhi sulmi terrorist mbi Kullat Binjake në Nju-Jork dhe në Pentagon duke lënë 2 977 viktima. Nëntë ditë më vonë, Bushi shpall Luftën Kundër Terrorit që cak kishte grupet ekstremiste, me në krye al-Qaedan. Lufta përfshinte edhe shtetet që i mbështesin këto grupe. Kështu, më 7 tetor nis Lufta e Afganistanit. Më 14 nëntor amerikanët futen në Kabul, ndërsa më 22 dhjetor formohet qeveria e re afgane nën udhëheqjen e Hamid Karzai.

Amerikanët do të tërhiqen nga Afganistani 20 vjet më vonë. Pas largimit të tyre, pushtetin do ta marrin sërish talebanët. Vendi futet prapë në kaos.

Hamdi Karzai

Më 2001 vdes aktori Anthony Quinn dhe muzikanti George Harrison. Po më 2001 ndërrojnë jetë: përkthyesi e diplomati Jusuf Vrioni, aktori Vangjush Furxhi, një prej spikereve të para në Kosovë, Drita Reka-Gërmizaj, si dhe lideri i dikurshëm komunist i Kosovës, Fadil Hoxha.

Më 2001 nis ekzekutimi i veprës muzikore “As Slow as Possible” e kompozitorit John Cage, në organon e vendosur në kishën e Shën Borkardit në Halbershtat të Gjermanisë. Vepra zgjat “veç” 639 vjet dhe, nëse gjërat shkojnë si duhet, përfundon “shpejtë” – në vitin 2640.

Organo e John Cageit

Ndërkohë, në Luginën e Preshevës “përfundon” lufta me nënshkrimin e Marrëveshjes së Konçulit, më 21 maj 2001, me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të Paktit Veriatlantik (NATO), Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe Organizatës Evropiane për Siguri dhe Bashkëpunim (OSBE). Marrëveshja kërkonte hyrjen graduale e Ushtrisë Jugosllave në Zona Tokësore të Sigurisë, e në të njëjtën kohë demilitarizimin dhe shpërbërjen e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit (UÇPMB). Por, luftimet vazhdojnë deri më 24, kur Ushtria serbe futet në Preshevë. Me atë rast vritet komandanti Ridvan Qazimi – “Lleshi”. Shumë luftëtarë shqiptarë u dorëzuan në KFOR, në mesin e të cilëve njëri prej krerëve të UÇPMB-së, Shefket Musliu (për të fituar pastaj amnisti nga qeveria e së ashtuquajturës Jugosllavi). Dy vjet pas shpërbërjes së UÇPMB-së, shqiptarët morën pjesë për herë të parë – pas shumë vitesh – në zgjedhjet lokale të Serbisë. Por, gjendja e tyre në Luginë të Preshevës nuk është përmirësuar fare në këto 20 vjet. “Pse shqiptarët e Luginës së Preshevës, respektivisht ata që jetojnë në Serbi, nuk munden lirshëm, publikisht dhe zyrtarisht të përdorin simbolin e tyre kombëtar, simbol ky që përfaqëson në thelb një pjesë të identitetit të tyre”, ka thënë deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, sipas të cilit pushteti në Serbinë e vitit 2021 nuk dallon nga pushteti i Sllobodan Milosheviqit. “Presheva, Bujanoci dhe Medvegja janë sot rajoni shembullor i diskriminimit. Metodat e vjetra të diskriminimit janë zëvendësuar me format e ‘padukshme’ bashkëkohore të shtypjes. Rajoni mbetet nën rrethim të ‘legjitimuar’ ushtarako–policor, me nënpërfaqësim të thellë në institucione shtetërore dhe me mungesë të ‘arsyetuar’ investimesh”.

Kur është fjala te Millosheviqi, më 2 prill 2001 dorëzohet te forcat speciale të Policisë serbe. Më 28 qershor e çojnë në Hagë. Fatkeqësisht, vdiq pa u dhënë verdikti për krimet monstruoze të shkaktuara nga regjimi i tij, për çfarë e kishte epitetin e Kasapit të Ballkanit.

Ridvan Qazimi (majtas), Shefket Musliu (në mes) dhe Muhamed Xhemajli (djathtas), më 26 janar 2001

Po më 2001, eskalon lufta në Maqedoninë e Veriut, që nisi më 22 janar 2001 nga trupat e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK). Lufta përfundon më 13 gusht me Marrëveshjen e Ohrit. Kjo marrëveshje nuk është zbatuar ende si duhet, sidomos në pikat që përkojnë me mos diskriminim dhe përfaqësim të drejtë, me arsimin dhe përdorimin e gjuhëve si dhe shprehje të identitetit. Ndonëse nuk u realizuan aspiratat e shqiptarëve, megjithatë gjendja e tyre në Maqedoninë e Veriut është më e mirë se në Luginë të Preshevës. Më 2001, nga radhët e UÇK-së së Maqedonisë formohet partia Bashkimi Demokratik për Integrim. Kryetar zgjidhet Ali Ahmeti.

Pamje nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit: (nga e majta): Arbën Xhaferi, Lubço Georgievski, Boris Trajkovski, Branko Cërvenkovski dhe Imer Imeri

Më 8 korrik, në zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri, 54.9 për qind të votave i fiton Partia Socialiste (PS). Partia Demokratike e Shqipërisë bojkoton seancën e Parlamentit të paraparë për 3 shtator. Ndërkohë, nisin përçarjet mes Fatos Nanos e Ilir Metës. Po më 2001, Shqipëria dhe Jugosllavia rivendosin marrëdhëniet diplomatike të shkëputura – për shkak të Luftës në Kosovë – në vitin 1999.

Në Kosovë, Vitin e Ri 2002 do ta “festojnë” më së shumti të papunët. Sipas statistikave, 64 për qind e popullsisë së Kosovë është e papunë. Kjo me fjalë të tjera do të thotë: keq pra!

Në Kosovë u mbajtën edhe zgjedhjet parlamentare. Kosova ishte prapë në “headline” të mediave të botës. Gazetarë e vëzhgues erdhën për të përcjellë procesin zgjedhor. Të gjithë ata prisnin eksese, por ne prapë i zhgënjyem. Interesant, shumë pak gjëra kanë ndryshuar nga viti i kaluar. Të gjithë çuditen me normalitetin e Kosovës! Zgjedhjet e para parlamentare të pasluftës i fiton Lidhja Demokratike e Kosovës. Në pamundësi për të zgjedhur presidentin, formohet koalicioni i gjerë. Ibrahim Rugova u zgjodh Kryetar i Kosovës, ndërsa Bajram Rexhepi kryeministër.

Pamje nga votimet në Kosovë, më 2001

Kryeadministrator i Kosovës më 2001 ishte danezi Hans Haekkerup. 20 vjet më vonë, një Haekkerup tjetër do të përmendet: nipi i Hansit, Nicku, si ministër i Drejtësisë së Danimarkës që qëndron prapa marrëveshjes me Kosovën për t’i dhënë me qira 300 qeli burgu.

Në Kosovë miratohet korniza kushtetuese, diplomojnë gjenerata të reja policësh, organizohen konteste të bukurisë, mbahen festivale të këngës dhe muzikës, xhirohen spote dhe incizohen shumë albume … Gjithçka dukej se po shkon ka normalja, por Kosovës nis t’i rrezikohet imazhi dhe e ardhmja, kjo edhe për faktin se Perëndimi nuk kishte vizion për të ardhmen e Ballkanit,

Statusi i femrës dhe emancipimi i saj është ende temë aktuale. Mirëpo, sikur më 2000, ky emancipim shikohet me futjen e femrës në 30 përqindëshin statistikor dhe duke organizuar seminaret: “Femrat dhe ekonomia”, “femrat dhe politika”, “femrat dhe gazetaria” …

Universitetin e mundojnë prapë problemet e reformave. Vetëm flitet për to e asgjë nuk bëhet. Madje, një profesor, duke u arsyetuar pse është kundër reformave, kishte thënë: “Në Perëndim profesorët e kanë pagën 7-8 mijë marka, ne 3-4 qind marka, ndërkaq këtu një kilogram speca kushton sa në Gjermani … mos edhe më shtrenjtë!?”! Këtë vit në Universitet u hapën tri fakultete të reja, të cilat e nisën dhe po e vazhdojnë punën me probleme të mëdha. Këto fakultete autori i këtij teksti më 2001 i quajti “Recycle Bin”. Ndoshta me të drejtë!

Shitja e tepihëve në Prishtinë, më 2001, në ndërtesën e milicisë serbe të bombarduar nga NATO më 1999

Filmat më të shikuar në botë ishin: “Tomcats”, “Mummy II”, “Harry Potter”, “The Ring”, “America’s Sweethearrs” … Ndërsa në Kosovë të gjitha projektet “filmike” të Adem Mikullovcit.

Bota dëgjonte këta emra: Eminem, Britney Spears, Toni Braxton, Christina Aguillera, Jennifer Lopez, Robbie Williams… Ndërsa Kosova B. B. Poqin, Arta Bajramin, Etno Engjujt, Faton Maculën, Donika Gashin, Bekën, Adelina Ismailin etj.

Në Kosovë flitet dhe shkruhet për euron, si lajm i mirë. /Telegrafi/

Mariah Carey pranë ushtarëve amerikanë në Kosovë, më 2001

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare, Qendra Klinike Universitare e Kosovës,…