
Viti 2025 dhe fillimviti 2026 janë të humbur
Shkruan: Besnik Tahiri
Përtej moçalit ku kanë ngecur narracionet dhe diskurset e një qeverie pa legjimitet, efektet e vetë-bllokadës së saj janë kolosale, afatgjata dhe të pakthyeshme.
Le t’i shpalosim shkurtimisht:
1. Bllokimi i reformës ligjore: Vendi ka nevojë për përmirësimin e ligjeve ekzistuese dhe miratimin e ligjeve të reja. Kjo qeveri ka pranuar faktikisht se mund të qeverisë edhe pa to – një vetëdorëzim institucional.
2. Pozitat “me ushtues detyre” si mjet manipulimi: Institucionet publike, ndërmarrjet shtetërore dhe përfaqësimi ndërkombëtar kërkojnë zyrtarë me mandat të ri ose të vazhduar. Qeverisë po i konvenon statusi i përkohshëm – sa më shumë pozita “me ushtrues detyre”, aq më shumë hapësirë për ndikim dhe manipulim. Humbësit janë sektori publik dhe qytetari.
3. Izolimi ndërkombëtar: Në një botë me konkurrencë të fortë, thellimi i marrëdhënieve bilaterale dhe multilaterale kërkon institucione e qeveri me legjitimitet. Kjo qeveri vepron sikur legjitimiteti është perceptim, jo parakusht. Kosova e paguan këtë qasje me izolim.
4. Bllokim i zhvillimit: Qeveria në detyrë nuk ka mandat të nënshkruajë kontrata madhore, as të nisë privatizime apo të krijojë obligime afatgjata buxhetore. Çdo projekt madhor është pezulluar. Shteti është në ngërç funksional e më shumë hapësirë për keqpërdorim.
5. Menaxhim rutinor, pa vizion: Vendimmarrja është reduktuar në menaxhim teknik të përditshëm. Asnjë vizion zhvillimor, asnjë agjendë strategjike. Vendi është lënë në autopilot.
6. Stagnim në integrimet euroatlantike: Qasja konfrontuese, mungesa e koordinimit dhe paaftësia për ndërtimin e aleancave efektive kanë stagnuar rrugën drejt BE-së dhe NATO-s.
7. Paqartësi strategjike me partnerët: Komunikimi me SHBA-në është i fragmentuar, kontradiktor dhe i paqartë. Kjo paqartësi dëmton interesat shtetërore.
8. Humbje e potencialit ekonomik: Klima e pasigurisë dhe konfliktet institucionale kanë larguar çdo investim serioz të huaj.
9. Mungesë narrative kombëtare: Në vend të unitetit përballë kërcënimeve nga Serbia dhe aktorët që e mbështesin, kemi përçarje, akuza dhe mohime të përgjegjësisë.
10. Neglizhencë ndaj Shqipërisë: Bashkëpunimi me Shqipërinë është strategjik për diplomacinë, ekonominë dhe identitetin shtetëror. Mungesa e thellimit të këtij bashkëpunimi është një humbje që e ndjejmë çdo ditë.
Përndryshe, përveç kostos politike dhe institucionale, qasja bllokuese e kësaj qeverie ka rezultuar edhe me bllokim të madh financiar për Kosovën – fonde që janë të arritshme, por jo të disponueshme për sa kohë nuk ka angazhim të duhur institucional.
• 61 milionë euro nga Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor (Growth Plan) janë aktualisht të bllokuara, për shkak të mosplotësimit të kritereve dhe mungesës së koordinimit ndërinstitucional.
• 150 milionë euro nga fondet IPA të Bashkimit Evropian janë në pritje, për shkak të ngecjeve në reforma, mungesës së dialogut konstruktiv dhe qasjes konfrontuese ndaj partnerëve ndërkombëtarë.
Në total: mbi 210 milionë euro në pritje të institucioneve që funksionojnë. Këto janë fonde që do të mund të ndryshonin realisht infrastrukturën, arsimin dhe ekonominë, por janë të bllokuara, si pasojë e statusit të përkohshëm dhe mungesës së legjitimitetit politik.
Si konkluzion, viti 2025 dhe fillimviti 2026 janë të humbur. Nga korriku deri në dhjetor, vendi do të jetë i përfshirë në zgjedhje lokale. Ndërsa, nga janari deri në mars, na presin zgjedhjet për Presidentin e Republikës. Kjo nënkupton se një vit i tërë humbet në cikle zgjedhore, ndërsa çështjet madhore të shtetit mbesin pezull.