Vizita e Osmanit në Arabinë Saudite, u takua edhe me djalin e Trump e Infantinon

30 tetor 2025 | 20:55

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Mbretërinë e Arabisë Saudite, prej nga mori edhe njohjen e Sirisë për Kosovën.

Presidenca ka ndarë disa detaje nga vizita e Osmanit në Arabinë Saudite, ku është bërë e ditur se ajo është takuar me disa personalitete të njohura.

Në mesin e tyre edhe Donald Trump Jr., biznesmenin amerikan dhe djali i Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump dhe presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.

Gjatë vizitës, Osmani realizoi një sërë takimesh bilaterale dhe multilaterale të rëndësishme.

Për më tepër postimi i Presidencës:

Përmbledhje e vizitës zyrtare të Presidentes Osmani në Mbretërinë e Arabisë Saudite
Gjatë vizitës së saj në Mbretërinë e Arabisë Saudite, Presidentja Vjosa Osmani realizoi një sërë takimesh bilaterale dhe multilaterale të rëndësishme, të cilat shënuan një moment të jashtëzakonshëm për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe hapjen e perspektivave të reja për integrimin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës. Kjo vizitë kulmoi me njohjen e Republikës së Kosovës nga Siria, me ndërmjetësimin dhe mbështetjen e aleatëve.

Respektivisht, Presidentja Osmani zhvilloi këto takime:

• Lartësia e Tij Mbretërore Mohammed bin Salman, Princin e Kurorës së Mbretërisë së Arabisë Saudite, ku u ritheksua mirënjohja e Kosovës për përkrahjen e vazhdueshme dhe u diskutua hapja e kapitujve të rinj bashkëpunimi në fushat e energjisë së rinovueshme, turizmit, bujqësisë, sigurisë ushqimore, arsimit, inovacionit digjital dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
• Shkelqësia e Tij Mohamed Ould Cheikh El Ghazouani, Presidentin e Republikës Islamike të Mauritanisë, me të cilin Presidentja Osmani diskutoi avancimin e marrëdhënieve miqësore dhe rritjen e bashkëpunimit në skenën ndërkombëtare.
• Shkelqësia e Tij Rumen Radev, Presidentin e Republikës së Bullgarisë, ku u fol për heqjen e masave të padrejta ndaj Kosovës dhe për përparimin e aplikimit të saj për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian.
• Lartësia e Tij Mbretërore Hussein bin Abdullah al-Hashimi, Princin e Kurorës së Mbretërisë Haxhemite të Jordanisë, me të cilin u konstatua gatishmëria për të thelluar bashkëpunimin në fushat e mbrojtjes, tregtisë dhe teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (ICT).
• Yasir Al-Rumayyan, Guvernatorin e Public Investment Fund (PIF) të Arabisë Saudite, me të cilin u diskutua për investime strategjike dhe mundësitë për përfshirjen e Kosovës në projekte zhvillimore.
• Talal Almarri, Drejtorin Ekzekutiv të Expo 2030 Riyadh, ku u konfirmua pjesëmarrja e Kosovës dhe mundësia e veçantë për të shfaqur potencialin e saj inovativ dhe teknologjik në kuadër të Expo 2030 në Riad.
Gjithashtu, Presidentja Osmani pati rastin të bisedojë me:
• Shkelqësia e Tij Paul Kagame, Presidentin e Republikës së Ruandës,
• Shkelqësia e Tij Mohamed Irfaan Ali, Presidentin e Republikës së Guajanës,
• Shkelqësia e Tij Cevdet Yılmaz, Zëvendëspresidentin e Republikës së Turqisë,
• Shkelqësia e Tij Edi Rama, Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë,
• Gianni Infantino, Presidentin e FIFA-s,
• dhe Donald Trump Jr., biznesmenin amerikan dhe djalin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Një moment kyç i kësaj vizite ishte takimi trilateral mes Princit të Kurorës, Mohammed bin Salman, Presidentes Osmani dhe Shkelqësisë së Tij Ahmad al-Sharaa, Presidentit të Sirisë, në të cilin u finalizua njohja e Republikës së Kosovës nga Siria — një hap historik për konsolidimin ndërkombëtar të vendit. Në kuadër të Future Investment Initiative (FII), Presidentja Osmani ishte e ftuar në tryezën e liderëve, ku diskutimi kryesor u përqendrua në temën: “Cila është kostoja e sigurisë ekonomike?” — një debat me rëndësi të veçantë për vendet që synojnë rritje të qëndrueshme ekonomike përmes dialogut, inovacionit dhe investimeve në infrastrukturë, transformim digjital dhe inteligjencë artificiale.

Presidentja Osmani ishte gjithashtu e ftuar në darkën zyrtare të shtruar nga Princi i Kurorës, Mohammed bin Salman, për të ftuarit e FII, dhe u prit me nderime ushtarake menjëherë pas mbërritjes në Riad.

Për mbarëvajtjen e vizitës, zhvillimet më të fundit globale dhe planet për bashkëpunim të ardhshëm ndërmjet Kosovës dhe Arabisë Saudite, Presidentja Osmani dha dy intervista ekskluzive për Al Arabiya dhe Arab News.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
esidentja Vjosa Osmani i ka thirrur kryetarët e partive politike…