Vizitë skandaloze e ministrit të Jashtëm të Serbisë në Sofje

29 janar 2021 | 17:39

Dr. Anton Pançev

Më 20 janar ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Nikolla Selakoviq, realizoi takim me ministren e Jashtme bullgare Ekaterina Zaharieva. Në konferencën për media me gazetarë bullgarë, N. Selakoviq bëri deklarata shqetësuese dhe arrogante në lidhje me vlerësimin e të kaluarës shoviniste të Serbisë. Përplasja e parë ishte lidhur me Republikën e Kosovës. Z. Selakoviq bëri përpjekje për ta sfiduar politikën e Bullgarisë ndaj Kosovës duke thënë se “E kuptojmë qëndrimin e Bullgarisë në lidhje me çështjen e Kosovës dhe të Metohisë, por për ne me rëndësi është zgjidhja të kërkohet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Dëshira jonë është që të rifillojë dialogu dhe të mos bëhen hapa që do ta dëmtonin”. Pra, ministri i Jashtëm serb ende mendon se Republika e Kosovës qenka pjesë nga “politika e brendshme serbe” dhe shtete të tjera nuk mund t’i zhvillojnë marrëdhëniet me Kosovën pa pëlqimin e Beogradit!
Duke e pyetur ministrin serb pse Serbia është i vetmi shtet ish-komunist, që ende nuk i ka hapur dosjet e policisë famëkeqe të diktatorit Tito, UDB-a, dhe që ka qenë përgjegjëse edhe për vrasjen e mijëra njerëzve të pafajshëm, Selakoviq deklaroi: “Nuk jam në dijeni nëse jemi shteti i fundit evropian, që e ka bërë ose nuk e ka bërë këtë gjë. Unë jam burrë shteti, nuk kemi frikë nga asgjë, sepse ka kaluar shumë kohë. Sa më kujtohet, disa prej këtyre arkivave u hapën pjesërisht në ministrinë që e drejtoj tani. Nuk e di çfarë të mirë ka sjellë hapja e këtyre dosjeve”. Ai shtoi, gjithashtu, se partitë që janë marrë me këtë çështje e kanë humbur besimin e votuesve, kurse populli i Serbisë kërkon në BE.
Ministri i Jashtëm serb deklaroi edhe gjëra të tjera skandaloze, p. sh., se qenka krenar me punën e Aleksandër Vuçiqit si ministër i Informatës i diktatorit Sllobodan Millosheviq, që ishte akuzuar për gjenocid dhe krime lufte në Hagë. Ministri serb plotësoi se në vitin 1999 Serbia paska qenë viktimë e agresionit të NATO-s!
Kjo sjellje tepër sfiduese e ministrit të Jashtëm të Serbisë tregon qartë se në Beograd vazhdojnë të mbretërojnë fantazmat shoviniste nga koha e Millosheviqit dhe asnjë ndryshim pozitiv në mendimin e udhëheqësve të Serbisë nuk ka ndodhur. Bashkimi Evropian dhe anëtarët e tij duhet ta ndryshojnë qasjen indiferente dhe negociatat me Serbinë të kushtëzohen edhe me të drejtat e pakicave në Serbi, me hapjen e dosjeve të shërbimeve represive serbe (jugosllave), me zbulimin e eleboratave serbe dhe të mekanizmit gjenocidal kundër bullgarëve, shqiptarëve dhe disa komuniteteve të tjera gjatë shekullit XX.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ramiz Krasniqi, avokati i Skënder Krasniqit, i cili dyshohet për…