Vizitojnë të moshuarit në spital me koshin e vinçit

28 prill 2020 | 11:16

Disa banorë të një klinike për të moshuarit në Belgjikë kanë pasur rastin të shohin sy me sy të afërmit e tyre pas disa javëve karantinë të detyruar. Takimi i shkurtër u realizua nga ballkoni me anën e një vinçi për shkak të masave kundër Koronavirusit.

Pas një muaji e gjysmë karantine prej Koronavirusit, për herë të parë banorët e një klinike për të moshuarit në Belgjikë patën rastin të shohin të afërmit e tyre.

Një autovinç me kosh, që zakonisht përdoret për pastrimin e dritareve apo për mbledhjen e qershive, u shfrytëzua nga familjarët e përmalluar për të shkëmbyer biseda të shkurtra nga ballkoni.

Pronari i firmës që i jep me qira platformat elektrike thotë se ideja i erdhi rastësisht.

“Dy javë më parë po shkoja në punë me makinë kur afër një azili për të moshuarit pashë dikë që përshëndeste me dorë nënën e tij dy apo tri kate më lart, dhe mendova meqë kriza tani i ka ulur ndjeshëm të ardhurat e biznesit tim, këto makineri që kam mund t’i përdor për këtë rast.”

Por ideja e menaxherit belg bëri të lumtur të hënën të paktën dy persona, bashkëshorten 84-vjeçare dhe një tjetër të afërm të banorëve të klinikës.

Që prej mesit të marsit, për arsye përkujdesje për moshat e treta, në Belgjikë si kudo në Evropë janë ndaluar vizitat normale në klinikat për të moshuarit.

“Jam shumë e lumtur që mund t’i flas nga aq afër. E vlerësoj shumë këtë nismë.”

“Për mua ishte mundësi unike. Por sigurisht ky ishte një rast i vetëm dhe nuk e di a do vazhdojë kështu situata. Askush nuk do që banorët e këtyre klinikave të vdesin nga vetmia.”

Aktualisht shumica e belgëve punojnë nga shtëpia dhe mund të dalin jashtë vetëm me maska, ndërsa aktivitetet tregtare lejohen për dyqanet e ushqimeve, kopshtet dhe farmacitë.

Belgjika ka planifikuar hyrjen në një fazë lehtësuese të karantinës kundër Covid-19 duke nisur nga 4 maji. /Ora News.tv/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përpara se të futen në shpellë, pjesëtarët e ekipit të…