Vjedhja e votës brenda subjekteve politike, krim elektoral dhe provë e dështimit të integritetit partiak

24 janar 2026 | 12:59

Shkruan: Hisen Berisha

Zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 në Kosovë kanë nxjerrë në pah një fenomen shqetësues dhe thellësisht destabilizues për demokracinë, vjedhjen e votës nga brenda vetë subjekteve politike.
Kjo dukuri nuk mund të reduktohet në parregullsi të izoluara apo gabime procedurale.
Ajo përbën ndërhyrje të qëllimshme në procesin zgjedhor dhe, si e tillë, hyn në kategorinë e krimit elektoral të organizuar.

Komisionerët dhe individët që në mënyrë klandestine janë përfshirë në manipulimin e votës brenda subjekteve politike, duke dëmtuar kolegë dhe vetë procesin zgjedhor, nuk mund të gëzojnë asnjë formë amnistie. Vullneti i qytetarëve është i shenjtë, vota është e lirë dhe çdo dyshim për deformimin e saj duhet të hetohet deri në fund, ndërsa manipuluesit në tërë hierarkin subordinuese, të ndëshkohen pa përjashtim.

Manipulimi i vullnetit të anëtarësisë dhe votuesve përmes ndërhyrjeve në qendrat e votimit dhe të numërimit, deformimit të rezultateve, presionit mbi komisionerët dhe vëzhguesit, si dhe përfshirjes së shtabeve elektorale në nivel lokal dhe qendror të partive politike, përbën cenim të drejtpërdrejtë të parimit të përfaqësimit demokratik dhe shkelje të rëndë të besimit publik.

Një element veçanërisht alarmues i këtij cikli zgjedhor është fakti se manipulimi i votës nuk po realizohet më si para reformës, kryesisht në vendvotime (klasë/shkolla), apo në Qendrën Kryesore të Numërimit, por është zhvendosur në mënyrë sistematike në Qendrat Komunale të Numërimit, ashtu edhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, aty ku kontrolli publik dhe transparenca janë më të sofistifikuara, ndërsa ndikimi i strukturave partiake në nivel lokal dhe qëndror është më i drejtpërdrejtë.

Ky realitet e bën të pashmangshme nevojën për ndërhyrje radikale në sistem, me anulimin e zgjedhjeve të komprometuara, vendosjen e një qeverie teknike me mandat të kufizuar për reformimin e sistemit zgjedhor dhe atij të drejtësisë, si dhe kalimin drejt votimit dhe numërimit të plotë të dixhitalizuar/elektronik.

Vetëm pas këtyre reformave strukturore mund të organizohen zgjedhje të rregullta që garantojnë integritetin e votës dhe legjitimitetin e rezultatit.
Kjo është emergjencë shtetërore, ngase është vetë sistemi elektoral ai që e gjeneron jostabilitetin e vazhdueshëm politik në vend.

Në këtë kontekst, përgjegjësia duhet të trajtohet me qartësi të plotë. Ajo është para së gjithash personale, për çdo individ që ka kryer, urdhëruar, lehtësuar apo toleruar veprime të paligjshme. Por njëkohësisht, është edhe zinxhirore, sepse procesi zgjedhor është i organizuar dhe funksionon përmes një strukture hierarkike përgjegjësish.
Prandaj, përgjegjësia shtrihet nga komisionerët dhe vëzhguesit, te shtabet elektorale lokale (komunale), shtabet zgjedhore qendrore të partive, qendrat e numërimit, e deri te kandidatët individualë që kanë përfituar drejtpërdrejt nga deformimi i rezultatit.

Nga pikëpamja juridike, këto veprime përmbushin elementet e veprave penale që lidhen me keqpërdorimin e procesit zgjedhor, falsifikimin e dokumenteve zyrtare, shpërdorimin e detyrës zyrtare dhe bashkëkryerjen, ndërsa në rastet e koordinimit të strukturuar, edhe elemente të krimit të organizuar.
Këto nuk janë çështje morale apo etike, por çështje penale, që kërkojnë reagim të drejtpërdrejtë të organeve të drejtësisë.

Asnjë subjekt politik nuk mund të pretendojë reformë, legjitimitet apo përfaqësim demokratik, nëse toleron ose mbulon vjedhjen e votës brenda radhëve të veta.
Mospërballja me këtë fenomen është bashkëpërgjegjësi politike dhe institucionale.

Ndëshkimi duhet të jetë real, proporcional dhe pa selektivitet, duhet ndjekje penale efektive, sanksione të qarta ligjore dhe pasoja juridike si: përjashtim i përhershëm nga proceset zgjedhore dhe funksionet publike për ata që shpallen fajtorë.
Vetëm kështu mund të rivendoset besimi në procesin zgjedhor dhe të mbrohet integriteti i demokracisë dhe sistemit politik/shtetëror.

Vota nuk është pronë e partive, e shtabeve apo e individëve. Ajo është themeli i sovranitetit qytetar. Kush e vjedh atë, nuk dëmton vetëm një kandidat apo një subjekt politik, por godet vetë rendin demokratik.

Republika e Kosovës duhet të mbetet shembull i demokracisë dhe integritetit zgjedhor në rajon, prandaj adresimi përmes ligjit, llogaridhënies penale dhe përgjegjësisë institucionale për rastet e dyshuara të manipulimit të votës brenda subjekteve politike është i domosdoshëm për mbrojtjen e rendit demokratik dhe besimit publik.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati i PDK-së për deputet, Bekim Haxhiu, ka kërkuar që…