Vjosa Osmani nderohet me çmimin “Global Diplomacy Award” në Turqi
Ish-presidentja e Kosovës, aktualisht deputete e LDK-së, Vjosa Osmani, është nderuar me çmimin “Global Diplomacy Award” në një ceremoni të organizuar në Turqi nga organizata “Global Journalism Council”.
Në këtë ngjarje kanë marrë pjesë mbi 350 pjesëmarrës nga 32 shtete të ndryshme të botës.
Përmes një postimi, Osmani ka shprehur mirënjohjen për këtë vlerësim, duke theksuar se diplomacia e vërtetë ndërton ura dhe qëndron në anën e drejtësisë.
Ajo ka bërë të ditur se çmimin ia dedikon popullit të Kosovës, duke kujtuar sakrificën e tij për liri, si dhe presidentit historik Ibrahim Rugova, të cilin e ka cilësuar si themeltar të Republikës së Kosovës dhe figurë që ka promovuar rëndësinë e aleancave dhe miqësive ndërkombëtare.
Osmani gjithashtu ia ka kushtuar këtë çmim gazetarëve që kanë raportuar gjatë luftës në Kosovë, duke vlerësuar guximin e tyre në dokumentimin e së vërtetës dhe kontributin në shpëtimin e jetëve.
“Gazetaria e guximshme nuk është vetëm dëshmi e historisë, por edhe mbrojtje e jetës dhe e njerëzimit”, ka shkruar Osmani.



