
VLEN-i shkrihet në një parti, por Ahmeti mbetet lideri më i pëlqyer
Përçarjet e vazhdueshme dhe pasiguria në raport me Qeverinë e Mickoskit ka bërë që katër partitë shqiptare ta formalizojnë kryesinë e përbashkët.
Me synimin për shkrirje në një subjekt të vetëm, përfaqësuesit e katër partive politike, Lëvizja Demokratike, Lëvizja Besa, Alternativa si dhe filiali i Vetëvendosjes i përfaqësuar nga Bekim Qoku, në takimin e mbajtur mbrëmjen e së mërkurës kanë vendosur që aktivitetet publike të këtyre partive tani e tutje të jenë në moratorium.
Me këtë rast është vendosur që kryesia të jetë organi i parë i përbashkët dhe gjithçka të jetë nën logon e koalicionit.
Aty është rënë në ujdi që gjatë takimeve të radhës të themelohen organet e reja, të caktohen drejtuesit e VLEN-it dhe shtabeve zgjedhore.
Kryesia e re, që do t’i paraprijë subjektit të ri që do të formohet nga këto katër parti, ka në përbërjen e vet 23 anëtarë.
Mediet shqiptare të afërta me këtë koalicion kanë spekuluar se nga Lëvizja Demokratike do të propozohen Izet Mexhiti, Visar Ganiu, Saranda Imeri-Stafai, Merita Kolçi-Koxhaxhiku dhe Feride Haxhiu; nga Lëvizja Besa Bilall Kasami, Fatmir Limani, Blerim Sejdiu, Melinda Rashidi, Hasim Murtezani, Sedat Sulejmani dhe Fadil Zendeli; nga Alternativa Zeqiria Ibrahimi, Amir Elezi, Afan Elezi, Arben Llabënishta, Orhan Murtezani, Safije Sadiki-Shahini dhe Bashkim Murtezi.
Edhe simpatizanti i ish-kryeministrit Albin Kurti, Bekim Qoku pritet të jetë pjesë e kryesisë, madje edhe Jusuf Sopi.
Tash së fundmi është mësuar se njeriu i Kurtit në Maqedoninë e Veriut është caktuar si koordinator i grupit parlamentar të koalicionit VLEN.
Megjithë këtë rikonfigurim të skenës politike, nga sondazhet nuk duket se do të ketë përmbysje rezultatesh.
Kështu një hulumtim i ‘mkd.mk’, i kryer nga agjencia ‘Market Vision’ mes datës 20 mars deri më 17 prill, bën të ditur se Hristijan Mickoski nga maqedonët dhe Ali Ahmeti nga shqiptarët vazhdojnë të jenë më të popullarizuarit liderë në Maqedoninë e Veriut.
Kryeministrit aktual Mickoski i besojnë 25.4 për qind e respodentëve, i pasuar nga Venko Filipçe me 3.8 për qind.
Kreu i BDI-së Ali Ahmeti, në anën tjetër, gëzon besimin e 6.2 për qind të respodentëve, i pasuar nga Arben Taravari me 3.8 për qind dhe Izet Mexhiti me 2.1 për qind.
Hulumtimi, me 1200 respodentë të pyetur, ka sipërfaqësuar edhe prirjen interesante se po qe se zgjedhjet do të mbaheshin nesër, dy të tretat e respodentëve, ose 64,4 për qind, do të dilnin në votime.
51.7 për qind e respodentëve kanë thënë se do ta votojnë VMRO-DPMNE-në, kurse LSDM-në 10.9 për qind.
Në anën tjetër, dallimi në kampin shqiptar është tejet i ngushtë: koalicionin VLEN kanë thënë se do ta votojnë 13 për qind e respodentëve, kurse BDI-në 12.1 për qind.
Ndryshe, kreu i BDI-së Ali Ahmeti të mërkurën është pritur në një takim nga presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.
Ahmeti ishte i shoqëruar edhe nga ish-ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani. /Nacionale