Vlerat e UÇK-së nuk mund t’i baltosë askush

06 mars 12:36

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka bërë me dije se luftën çlirimtare nuk mund ta baltosë askush. Ai ka deklaruar se vlerat e UÇK-së janë krijuar me shekujt dhe ato do të shkëlqejnë çdoherë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Krasniqi ka thënë se asnjë proces që bazën e ka në dëshmitë e rrejshme të Shërbimit të Sigurimit të Serbisë nuk mund t’i dëmtojë vlerat që ka krijuar UÇK-ja.

“Ajo Gjykatë Speciale e dëmton të sotmen e të ardhmen e kombit e të shtetit tonë! I kanë shërbyer kukuvajkat e vajtojsat që i kanë amnistuar armiqtë e kombit që me dekada ishin e janë në shërbim të armiqve të kombit. Natyrisht, kësaj gjykate i kanë shërbyer dhe i kanë shërbyer shumë edhe kundërshtarët e UÇK-së brenda e jashtë Kosovës. Një shërbim të tillë, të keq vendit, ia bënë edhe institucionet e larta të shtetit, si Kuvendi dhe jo vetëm ai! Një gjë dihet: Ari mund të baltoset, por ai kudo që bie e ruan shkëlqimin e vet”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka vlerësuar se vlerat e UÇK-së janë ideali për liri dhe shteti që gëzojmë sot. “Vlerë e UÇK-së është ideali për liri, është pavarësia, është shteti që e kemi e po e gëzojnë qytetarët e Kosovës. Nuk mund të respektohet UÇK-ja pa e respektuar shtetin e së drejtës që është krijesa më e natyrshme e luftës çlirimtare. Institucionet e Kosovës, nëse nuk frymëzohen nga vlera e lëvizjes kombëtare për çlirim, nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe komandanti i saj legjendar, nuk mund të realizojnë e finalizojnë shtetndërtimin”, ka thënë Krasniqi.

Ish-zëdhënësi i UÇK-së ka treguar se pas “Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” në Prekaz, pas 5, 6 e 7 marsit 1998, kanë ndryshuar në mënyrë të rrufeshme rrjedhat e mobilizimit e të masivizimit të kombit për luftën çlirimtare. “Gjithçka që ka ndodhur nga atëherë e deri më sot, burimin e ka pasur dhe e ka në Prekazin e Adem Legjendarit. Shkurt, liria, pavarësia e shteti ynë aty i kanë themelet e ngritjes. Kushdo që këto vlera kombëtare tenton t’i kërkojë diku tjetër, ata nuk bëjnë gjë tjetër veçse tregojnë përralla me shumë mbretër”, ka thënë Krasniqi.

“Epoka e re”: Z. Krasniqi, Kosova ka nisur shënimin e manifestimit tradicional “Epopeja e UÇK-së”, e cila përkujton sakrificën e jashtëzakonshme të Jasharëve. Cili ka qenë ndikimi i 5, 6, dhe 7 marsit të vitit 1998 në rrjedhat e historisë?
Krasniqi: Duhet të themi se deri atëherë UÇK-ja ishte emri i një guerilje të kufizuar në disa rrethe të vogla veprimi. Pas Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Prekaz, pas 5, 6 e 7 marsit 1998 kanë ndryshuar në mënyrë të rrufeshme rrjedhat e mobilizimit e të masivizimit të kombit për luftën çlirimtare, mobilizimi i së cilës pengohej nga ata që duhej të ndihmonin, por se ndihmuan e më shumë e sabotuan. Pas 5, 6 e 7 marsit lufta nuk kishte kthim prapa dhe nuk kishte forcë politike, as brenda e as jashtë vendit, që mund ta ndalte atë. Gjithçka që ka ndodhur nga atëherë e deri më sot, burimin e ka pasur dhe e ka në Prekazin e Adem Legjendarit. Shkurt, liria, pavarësia e shteti ynë aty i kanë themelet e ngritjes. Kushdo që këto vlera kombëtare tenton t’i kërkojë diku tjetër, ata nuk bëjnë gjë tjetër veçse tregojnë përralla me shumë mbretër.

“Epoka e re”: Gjatë këtyre 20 vjetëve, sa kanë bërë institucionet e Kosovës për sakrificën e komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij?
Krasniqi: Familja e komandantit legjendar dhe ai vetë nuk ka rënë për veten e tyre, por kanë rënë për lirinë e mirëqenien e të gjithë qytetarëve të Kosovës, ka rënë për çlirimin e bashkimin e kombit. Puna e institucioneve shihet sa kanë arritur të krijojnë siguri, zhvillim e prosperitet për kombin. Atë që e kanë bërë për kombin, e kanë bërë edhe për Jasharët e rinj. Prandaj, nuk është lehtë për institucionet e sotme që ta përmbushin amanetin e Jasharëve legjendarë.

“Epoka e re”: Republika e Kosovës tashmë ka shënuar 12-vjetorin e pavarësisë. A po respektohen sa duhet nga institucionet dhe shoqëria e Kosovës vlerat e UÇK-së?
Krasniqi: Vlerë e UÇK-së është ideali për liri, është pavarësia, është shteti që e kemi e po e gëzojnë qytetarët e Kosovës. Nuk mund të respektohet UÇK-ja pa e respektuar shtetin e së drejtës që është krijesa më e natyrshme e luftës çlirimtare. Institucionet e Kosovës, nëse nuk frymëzohen nga vlera e Lëvizjes Kombëtare për Çlirim, nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe Komandanti i saj Legjendar, nuk mund ta realizojnë e finalizojnë shtetndërtimin.

“Epoka e re”: Gjatë kësaj kohe, jo rrallë, janë sulmuar në mënyra të ndryshme vlerat e luftës së çlirimtare. Si i keni parë këto veprime?
Krasniqi: Në botë kudo ka antivlera më shumë sesa vlera, sesa integritet e dinjitet, prandaj vlera është në shënjestër të frikacakëve që u është prishur rehatia që e kishin nën sundimin e huaj. Prandaj, vlerat kudo sulmohen nga antivlerat e lirisë e të çlirimit. Edhe ari në natyrë është në pakicë në krahasim me shumë metale të tjera të ndryshkura. Por, ndryshku gjithnjë rrinë larg arit!

“Epoka e re”: Deri më tani Gjykata Speciale ka dorëzuar qindra ftesa për intervistim për ish-luftëtarët e UÇK-së. A mund ta dëmtojë ky proces luftën e lavdishme çlirimtare të Kosovës?
Krasniqi: Jo, asnjë proces që bazën e ka në dëshmitë e rrejshme të Shërbimit të Sigurimit të Serbisë, siç ishin dëshmitë e raportit të Dick Martit, nuk mund t’i dëmtojë vlerat që ka krijuar UÇK-ja. Ato janë vlera që i kanë krijuar shekujt. Ajo Gjykatë Speciale e dëmton të sotmen e të ardhmen e kombit e të shtetit tonë! I kanë shërbyer kukuvajkat e vajtojsat që i kanë amnistuar armiqtë e kombit që me dekada ishin e janë në shërbim të armiqve të kombit. Natyrisht, kësaj gjykate i kanë shërbyer shumë edhe kundërshtarët e UÇK-së brenda e jashtë Kosovës. Një shërbim të tillë, të keq vendit, ia bënë edhe institucionet e larta të shtetit, si Kuvendi dhe jo vetëm ai! Një gjë dihet: Ari mund të baltoset, por ai kudo që bie e ruan shkëlqimin e vet.

(Muhamet KOCI)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me rastin e shënimit të 22 vjetorit të Epopesë së…