Vota e diasporës do të ndikojë në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve 

23 shtator 2019 | 15:28

Njohësi i proceseve zgjedhore, Mazllum Baraliu, beson se këtë herë votat e diasporës së Kosovës do të ndikojnë në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 6 tetorit.

Ai ka treguar se për dallim nga zgjedhjet e kaluara, kësaj radhe interesimi i diasporës për të votuar është dyfishuar.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Baraliu bërë me dije se nëse ajo pjesë e qytetarëve e ka kuptuar drejt procesin e votimit, atëherë me votën e tyre subjektet politike do të mund t’i fitojnë disa deputetë.

“Nëse ato procedura kuptohen, atëherë patjetër se kësaj radhe do të jetë ndikimi më i madh i  diasporës  në performancën e përgjithshme të subjekteve të caktuara politike dhe përgjithësisht në rezultatin elektoral në Kosovë”, ka thënë Baraliu. Ai ka treguar se qëllimisht subjektet politike nuk po e bëjnë  reformën zgjedhje për t’ia lehtësuar procesin e votimit diasporës.

Baraliu ka shprehur drojën e tij se procedurat komplekse të votimit do të ndikojnë që shumë prej atyre 42 mijë aplikimeve të jenë vota të pavlefshme. “Se a do të kenë ndikim, natyrisht se po. Sepse edhe nëse janë vetëm 10 mijë vota  nga diaspora, ato mund t’i sigurojnë një subjekti politik një deputet më shumë, e kjo nuk është pak. Në rastin konkret, kemi mbi 42  mijë aplikime, që i bie se mund të kemi deri në 10 deputetë më tepër me ato vota.  Kjo natyrisht se është një fuqi e madhe”, është shprehur ai.

Baraliu ka folur edhe për parafushatën që po ndodhë nga kandidatët për kryeministër të vendit. Sipas tij, një gjë e tillë nuk është në përputhje me ligjin për zgjedhje. Megjithatë, ai ka thënë se deri më tani nga kandidatët për kryeministër nuk është prezantuar diçka konkrete.

“Kemi një kakofoni politike, një kakofoni premtimesh me pretendime të joshjes sa më të madhe të elektoratit me fjali e premtime bombastike.

Një gjë e tillë mendoj se do t’u bëjë dëm edhe vetë pretendentëve për kryeministër, sepse votuesi standard në Kosovë tanimë është vetëdijesuar shumë dhe nuk do të pranojë premtime astronomike të cilat nuk janë reale dhe nuk mund të realizohen”, është shprehur ai, duke shtuar se nuk pret që as gjatë fushatës zgjedhore të ndryshojë diçka.

“Fatkeqësisht, unë nuk kam shpresë se do të ketë diçka më shumë edhe kur të fillojë zyrtarisht fushata zgjedhore. Në fakt, subjektet pretendente për të fituar gjatë fushatës do të duhej që jo vetëm për simpatizantët e tyre, por për gjithë publikun e interesuar t’i prezantonin dhe shpjegonin në mënyrë  rrënjësore programet e  tyre”, ka thënë Baraliu.

 “Epoka e re”: Z. Baraliu, cili është mendimi juaj për parafushatën të cilën e kanë filluar partitë politike prej caktimit të datës së zgjedhjeve?
Baraliu: Së pari çdokush që e njeh legjislacionin në fuqi të Kosovës duhet thënë se tani është duke u zhvilluar një fushatë para fushatës, e cila, në fakt, nuk përputhet me dispozitat ligjore në fuqi dhe nuk përputhet me rregullat e KQZ-së për fushatën zgjedhore. Siç dihet, tashmë KQZ-ja ka përcaktuar se fushata do të jetë dhjetë ditë dhe dihet data se kur duhet të fillojë ajo.

 “Epoka e re”: Po debatet publike dhe deklarimet e kandidatëve për kryeministër, sa i ke përcjellë. Në çfarë niveli kanë qenë?
Baraliu: Debatet e subjekteve politike të cilat janë pretendente për t’i fituar zgjedhjet mbetet shumëçka për të dëshiruar. Ende nuk kemi parë diçka përmbajtjesore nga kandidatët për kryeministër dhe partitë që ata përfaqësojnë për t’i shpjeguar programet e tyre dhe premtimet që i kanë si: zhvillimi n ekonomik, qeverisjen me duar të pastra dhe kujdesin social. Pra, do të duhej të ishin tri shtyllat kryesore në të cilat do të duhej të përqendroheshin subjektet politike. Pastaj, brenda këtyre shtyllave do të duhej të futeshin arsimi, shëndetësia, kultura, kujdesi ndaj fëmijëve dhe kujdesi ndaj të moshuarve. Deri më tani nuk kemi parë që kandidatët janë përqendruar në këto tema. Përkundrazi, kemi parë akuza dhe një retorikë të zbrazët e cila nuk sjell asgjë për qytetarët e Kosovës.

 “Epoka e re”: Në bazë të këtyre rrethanave të deritanishme, si e parashikoni fushatën zgjedhore? Do të kemi prezantime më konkrete të programeve apo do të vazhdojë avazi i deritashëm?
Baraliu: Faktikisht, kjo që kemi parë deri më tani ishte fushatë e mirëfilltë, ku kishte fjalime të kandidatëve dhe debate nëpër medie. Pra, është një avaz i vjetër të cilin subjektet tona politike e kanë bërë edhe herëve të tjera. Domethënë, nuk kemi shkoqitje të shtyllave të programeve, pa ofrime reale të premtimeve të tyre. Nuk  do të duhej të mungonin elaburimet deri në detaje të programeve të tyre para simpatizantëve dhe aktivistëve të subjekteve politike. Kjo do ta ofronte mundësinë të shohin të gjithë se çka e dallon një subjekt politik nga tjetri, apo çka dallojnë tani premtimet e tyre prej herëve të tjera. Kemi një kakofoni politike, një kakofoni premtimesh me pretendime të joshjes sa më të madhe të elektoratit me fjali e premtime bombastike. Një gjë e tillë mendoj se do t’u bëjë dëm edhe vetë pretendentëve për kryeministër, sepse votuesi standard në Kosovë tanimë është vetëdijesuar shumë dhe nuk do të pranojë premtime astronomike të cilat nuk janë reale dhe nuk mund të realizohen. Fatkeqësisht, unë nuk kam shpresë që do të ketë diçka më shumë edhe kur të fillojë zyrtarisht fushata zgjedhore. Në fakt, subjektet pretendente për të fituar, gjatë fushatës do të duhej që jo vetëm për simpatizantët e tyre, por për gjithë publikun e interesuar t’i prezantonin dhe shpjegonin në mënyrë  rrënjësore programet e tyre.

“Epoka e re”: Kemi parë që diaspora ka shprehur interesim të madh për të qenë pjesë e procesit zgjedhor. KQZ-ja ka pranuar mbi 42 mijë aplikime për t’u regjistruar për zgjedhjet e parakohshme. Çka do të thotë kjo?
Baraliu: Diaspora kësaj radhe është dukshëm më e interesuar të jetë pjesë e procesit zgjedhor, shumë më tepër se herën e kaluar. Sa di unë, herën e kaluar kanë qenë 22 mijë aplikime, kurse tani mbi 42 mijë aplikime. Brengosës është se sa ndikim mund të kenë këto vota në performancën e subjekteve politike në ditën e zgjedhjeve. Sepse deri më tani nuk ka pasur vullnet të partive që të ndodhë reforma zgjedhore në mënyrë që të ndryshohet Ligji për zgjedhjet e përgjithshme dhe ligji për zgjedhjet lokale, e cila do t’ia lehtësonte shumë votimin diasporës. Deri më tani, për shkaqe të ndryshme, kemi parë një luftë të pashpallur politike në mes të partive, ku shprehet një dozë frike se cilin subjekt më shumë do ta votojnë ata qytetarë. Për këto arsye, për këtë pjesë të qytetarëve kemi një sistem joefikas të votimit dhe jo të qëndrueshëm. Qytetarët jashtë vendit janë pak të informuar për procesin dhe kanë pak mundësi që të arrijnë t’i plotësojnë  si duhet fletëvotimet. Në këtë drejtim, unë kam drojë që gjysma e atyre 42 mijë aplikimeve do të mund të hidhen si të pavlefshme. Se a do të kenë ndikim, natyrisht se po. Sepse edhe nëse janë vetëm 10 mijë vota nga diaspora ato mund t’i sigurojnë një subjekti politik një deputet më shumë, e kjo nuk është pak. Në rastin konkret, ne kemi mbi 42 mijë aplikime, që i bie se mund të kemi deri në 10 deputetë më tepër me ato vota. Kjo natyrisht se është një fuqi e madhe. Pikërisht për shkak të kësaj droje, se mos diaspora po e favorizon një subjekt politik, kanë bërë që të mos favorizohet kjo pjesë e qytetarëve tanë që jetojnë jashtë vendit. Pra, u kanë vendosur afat të  shkurtër dhe si mund të bëhen pjesë e këtij procesi. Nuk e di pse të mos votohet në qendrat tona diplomatike dhe konsullore të cilat i kemi në gjithë Evropën.

“Epoka e re”: Pra, ju besoni se vota e diasporës kësaj radhe do të ketë ndikim në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve?
Baraliu: Me siguri se po. Nëse ata nuk gabojnë shumë dhe nëse qytetarët nga diaspora kanë pasur mundësi t’i kuptojnë të gjitha kërkesat për t’u bërë pjesë e votimit, të cilat nuk janë edhe aq të thjeshta, natyrisht se do të vijë në shprehje ndikimi i tyre. Sepse ato procedura janë relativisht të komplikuara dhe konfuze. Mirëpo nëse ato procedura kuptohen, atëherë patjetër se kësaj radhe do të jetë ndikimi më i madh i diasporës në performancën e përgjithshme të subjekteve të caktuara politike dhe përgjithësisht në rezultatin elektoral në Kosovë.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtori i përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha, ka…