Votimit “ahtisarian” duhet t’i vijë fundi!

27 maj 2025 | 15:41

Shkruan: Fadil Maloku

1. “Shpikjes” Ahtisariane (ku një qytetar voton dhjetë kandidat, për deputet dhe vetëm një parti politike!), duket qe duhet t’i vije fundi?! “Shpikja”, është thjesht: një absurd i llojit të vetë, sepse; dëshmoj situata kundërthënëse e abuzuese gjatë procesit zgjedhor, sepse; “promovoj” ngërçin unikat në demokracitë e sotme parlamentare, sepse; na obligoj arbitrarisht neve 95% shqiptarë ta respektojmë vullnetin (që askund në gjithë rruzullin nuk mund ta hasish!) e minoritarëve, sepse; instaloj dhe e legalizoj mekanizmin e superdiskriminimit pozitiv të 5%-it (!?); sepse, nuk është krahasues e as kompatibil me asnjë proces apo zhvillim politik të asnjë vendi në botë! Madje, “shpikja” Ahtisariane, sot na është bërë edhe realitet e edhe metaforë për të ilustruar një proces të tejkaluar: politik (që superdiskriminon pozitivisht serbet): social (që pengon emancipim të lirë e kompatibil me nivelin e zhvillimit ekonomik të shoqërisë); juridik (që anticipon një Kushtetutë të vjetruar, dhe aspak fleksibile me zhvillimet dinamike në Kosovë. Në fakt, as institucionet, e as ligjet e derivuara nga kjo Kushtetute ligjërisht të “shpikura” dhe arkivuara nga “arkitektët dhe sponsorët” e pavarësisë së Kosovës, nuk e kanë pandamin e vet! Edhe kjo sikurse “shtetësia dhe pavarësia”, janë “sui generis” dhe të pakrahasueshme me asnjë rast tjetër!
2. Kur është në pyetje, procedimi i zgjedhjeve lokale dhe atyre nacionale, nuk mund të gjesh asnjë vend ku legjitimiteti dhe legaliteti i përfaqësimit të sovranit, të bëhet në mënyrë kaq të margjinalizuar dhe jo cilësore, sa në Kosovë! Bile as në demokracitë e reja nuk do mund të gjesh një diskriminim dhe degradim kaq të “avancuar” të emancipimit të një vendi dhe publiku, kur janë në pyetje procedimet zgjedhore dhe Ligji Zgjedhor, pastaj superdiskriminimi pozitiv i minoriteteve, si edhe legjislacioni social, siç është rasti ynë kosovar!? Ai ishte i nevojshëm edhe i dobishëm, vetëm në fazën e parë të procesit të kornizimit të zhvillimeve demokratike në vend, kurse tani është bërë pengesë serioze në ndërtimin e demokracisë. Ai duhet gjithsesi të ndryshohet, por, ndryshimin, e kësaj procedure, s’duhet pritur që do e bëjë e njëjta kastë politike që është duke i shijuar të gjitha beneficionet e kësaj “shpikjeje”! Arsyeja e vetme është; mburrja e tyre për numrin e madh të votave nga votuesit.
3. “Shpikësit”, e kësaj mënyre të votimit, e kanë ditur, që do vij një moment, kur do reduktohet dukshëm dalja dhe interesimi për të votuar sipas këtij sistemi! A duhet dhe kush duhet t’u thotë stop, gjithë këtyre deformiteteve? Tash për tash, po më duket që i vetmi agjent social që e kundërshton fuqishëm dhe stoikisht natyrën deviante të injorancës dhe budallakisë sonë politike, ka mbetur ai i guximit intelektual! Ndryshe, injoranca politike do vazhdoj pafundësisht “misionin” e saj të shndërrimit në palaço, trafikant, oborrtar e çertifikant social, edhe të shtresave tjera sociale, që mbetën ende pa u “arratisur” për ndonjë (pa)arsye logjike, nga liria e tyre personale! Intelektuali i sotëm, kryesisht mbetet të rropatet edhe më tej me ca dilema kruciale në shoqërinë dhe shtetin e tij centaur e sui generis; a. të bashkëjetoj me ndjenjën e të qenit i margjinalizuar dhe i pafuqishëm për të ushtruar ndikimin e tij, në luftimin e krimit dhe korrupsionit në shoqëri; b. t’i bashkëngjitet institucioneve të korruptuara shoqërore, duke u bë kështu agjent aktiv i “industrisë” së fatëpajtimit politik, çka mendoj se nuk është ndonjë zgjidhje e duhur: apo c. apo të shndërrohet në tellall dhe prokuror i së vërtetës faktike publike për çfarëdo problemi madhor… “Ujëra”, që unë me vogëlsinë dhe modestinë time mundohem të “notoj” qe sa kohë!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Paris Saint-Germain është një hap larg shkrimit të historisë, pasi…