Vrasja e 24-vjeçarit në Mitrovicë, aktakuzë kundër 4 personave

01 nëntor 2021 | 14:00

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ka ngritur aktakuzë, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, kundër të pandehurve L.S., B.H., V.I., dhe V.S., në drejtim të veprave penale “Vrasja e rëndë”, “Vrasja e rëndë në tentativë”, “Mbajtja në pronësi, në kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve”, si dhe “Përdorimi i armës apo mjetit  të rrezikshëm”.

Mehmet Kurti 23-vjeçar kishte mbetur i vrarë në një piceri mbrëmjen e 12 shkurtit në rrugën “Bislim Bajgora” në Mitrovicë. E nga të shtënat me armë zjarri ishin plagosur edhe dy persona.

Prokuroria ka njoftuar se me datë 12 shkurt 2021, rreth orës 22 e 17 minuta në rrugën “Bislim Bajgora” në Mitrovicë, “i pandehuri L.S., me dashje ka privuar nga jeta të ndjerin M.K., në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje rreth punëtorëve me pronarin e ‘Proper Pizza’ në Mitrovicë A.B., vjen një konflikt mes pjesëmarrësve të dy grupeve, me ç`rast i pandehuri L.S., nxjerr pistoletën dhe shtënë në viktimën M.K., i cili vdes si pasojë e plagëve të marra, dhe predhat e goditin edhe B.H., duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore”.

Me këto veprime i pandehuri L.S., ka kryer veprat penale  “Vrasja e rëndë”, nga neni 173 paragrafi 1 pika 1.5 të KPRK dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

“I pandehuri B.H., me datë 12 shkurt 2021, rreth orës 22 e 17 minuta në rrugën ‘Bislim Bajgora’ në Mitrovicë, ka shtënë në drejtim të personit F.S., duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore si dhe duke vënë në rrezik jetën e personave të grupit të ‘Proper Pizza’. Me këto veprime i pandehuri L.S., ka kryer veprat penale ‘Vrasja e rëndë në tentativë’, nga neni 173 paragrafi 1 pika 1.5 lidhur me nenin 28 të KPRK dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), I pandehuri V.I., datë 12 shkurt 2021, rreth orës 22 e 17 minuta në rrugën ‘Bislim Bajgora’ në Mitrovicë ka poseduar në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm pistoletën e cila i është sekuestruar nga policia, e po ashtu në mënyrë kërcënuese ka përdorur pistoletën të cilën e kishte në posedim”.

“Me këto veprime i pandehuri V.I., ka kryer veprat penale ‘Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve’, nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK, si dhe ‘Përdorimi i armës apo mjetit  të rrezikshëm’, nga neni 367 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). I pandehuri V.S., datë 12 shkurt 2021, rreth orës 22 e 17 minuta në rrugën ‘Bislim Bajgora’ në Mitrovicë, ka poseduar në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm pistoletën e cila i është sekuestruar nga policia, e po ashtu e ka përdorur kundër grupit të ‘Proper Pizza’ në mënyrë kërcënuese pistoletën të cilën e kishte në posedim. Me këto veprime i pandehuri V.S., ka kryer veprat penale ‘Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve’, nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK, dhe ‘Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm’, nga neni 367 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, ka njoftuar prokuroria.

Prokurori i Shtetit, i ka propozuar Gjykatës Themelore në Mitrovicë, që të pandehurit t`i shpallë fajtorë për veprat e kryera penale dhe ti dënojë sipas ligjit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Utah Jazz triumfoi 107-95 në fushën e ekipit kampion të…