
Vrasja e vëllezërve Bytyçi është një krim shtetëror serb që nuk harrohet kurrë
Imer Xhemail Lladrovci
Javën e kaluar, dmth. në fillim të qershorit, isha në Nju Jork (New York) me ftesë të “Vatrës“ për të përuruar atje librin tim Linja politike, diplomatike dhe shtetformuese“. Sivjet në korrik, bëhen plotë 26 vjet nga vrasja e Vëllezërve Bytyçi në Serbi, pra më tepër se një çerekshekulli, një kohë me të vërtetë e gjatë. Si shqiptar nga Europa, që ka kaluar Atlantikun e gjerë, e kisha si detyrim moral që t‘u bëja nderim te varret e tyre këtyre shqiptarëve idealistë që erdhën në Kosovë për të luftuar, eshtrat e të cilëve prehen në tokën e largët amerikane, në Nju Jork që nga marsi i vitit 2003, kur u rivarrosën pas nja 3 vjet pas vrasjes së tyre në korrik të vitit 1999. E njihja mirë historinë e tyre familjare dhe individuale, luftën e tyre në UÇK dhe vrasjen banditeske të tyre prej zyrtarëve serbë nga libri i Uk Lushit „Shqiptaro-Amerikanët e UÇK-së: Kronikë e Batalionit ‚Atlantiku’“. Në këtë libër jepen shumë të dhëna për jetën e tyre dhe për kohën kur ata më s‘jetonin, por si çështje e madhe e të drejtave të njeriut si qytetarë amerikanë ishin me interes për publikun.
Kufijtë shtetërorë, siç dihet, janë barriera që pengojnë qarkullimin e njerëzve, të ideve dhe mallërave. Gjithmonë kanë qenë të tillë. Ata u shpikën në epokën e shtetit kombëtar, kinse për të mbrojtur ekonominë dhe kulturën e kombeve. Një bilanc i më vonshëm i këtyre parametrave tregon se dëmet jorrallë ishin më të mëdha se përfitimet, sepse kështu u krijuan provinca të zhvillimit të të mendjes dhe të ekonomisë kombëtare. Por kufijtë kanë edhe një anë tepër të pazakontë, sepse mund të shërbejnë edhe për gjëra makabre, siç janë vrasjet si një sanksion ekstrem për shpërfilljen e tyre. Nga pikëpamja formale, shkelja e tyre, nuk paraqet ndonjë gjë të madhe. Por nuk është vetëm forma publike që e përcakton ndëshkimin. Ana formale e ndëshkimit nuk mund të jetë më shumë se kundërvajtje, gjë që edhe ndodhi kur u dënuan Vëllezërit Bytyçi me nga 15 ditë burg. Por, ajo që ngjau pastaj në burg, i kalon kufijtë e përfytyrimit tonë për legalitetin, sepse ndëshkimi ishte në shpërputhje të plotë me peshën e veprës. Vrasja e Vëllezërve Bytyçi në Prishtinë u kthye në një lëndë për lloj-lloj legjendash. Një Zot e di se çfarë u sajua nga nevoja për të futur pak logjikë në këtë kaos, e çka ishte produkt i agjenturave që përmes legjendës i mbulonin gjurmët e tyre të krimit shtetëror. Disa thonin se Vëllezërit Bytyçi ishin në një mision të fshehtë në Serbi. Kundërargumenti se sikur këto hamendësime të ishin të vërteta, ata do të mund të dënoheshin me shumë vjet burg, por jo të vriteshin, i hiqte këtyre spekulimeve çdo të drejtë. Operacione të fshehta ka pasur gjithmonë, por protagonistët nuk janë vrarë kështu me gjakftohtësi si në rastin e Vëllezërve Bytyçi. Kështu mbetet vetëm mendimi i vetëm i arsyeshëm se kufiri shtetëror i Kosovës me Serbinë i shërbente pengimit të njëanshëm të qarkullimit të njerëzve dhe ideve. Ky ishte qëndrimi i atëhershëm i politikës serbe ndaj Kosovës, ku ajo e kishte humbur nga 12 qershori i vitit 1999 çdo të drejtë për përcaktuar rrjedhat politike dhe sociale atje. Serbët bëheshin sikur e kishin fituar luftën, por ata thellë-thellë e dinin se e kishin humbur atë, madje, për më keq, kishin kapitulluar. Kjo vetëdije për poshtërimin shkaktonte një pezm të madh ndaj fitimtarit dhe shqiptarëve. Ky qëndrim politik i Beogradit zyrtar ndaj kufirit ndryshonte kur vinte puna te qarkullimi i mallërave serbe: Serbia nuk donte që ta humbte tregun lukrativ kosovar për gjërat që prodhonte ajo. Vetëm se edhe ky qarkullim nuk duhej të përcaktohej nga parimi i reciprocitetit. Në ato vite Kosova kishte një ekonomi të shkatërruar, kështu që vështirë se do të mund të prodhonte diçka të denjë për eksport. Por gjendja mund të ndryshonte me kalimin e viteve. Sot, edhe pas një çerekshekulli nga përfundimi i luftës, ka më shumë qarkullim të njerëzve dhe të ideve, por mallërat nuk qarkullojnë ende sipas parimit të reciprocitetit. Serbia përmes tyre fut në Kodovë sasi të madhe mallërash, por nuk lejon hyrjen e mallërave kosovare në tregun e saj me masa të ndryshme administrative në kufi. Kosovarët jashtë dërgojnë me qindramilionë euro në vit në Kosovë, por kjo para nuk qarkullon brenda Kosovës, për të shtuar aty mirëqenien ekonomike të banorëve të saj, por në pjesën më të madhe shpenzohet për blerjen e mallërave ushqimore serbe. Kështu që mund të thuhet deri në njëfarë mase se vetë shqiptarët tërthorazi e financojnë politikën kundërshqiptare të Beogradit, pa llogaritur këtu edhe dëmin që shkaktohet prej konsumit të mallërave jo cilsorë, ndonjëherë edhe helmues. Para pak kohësh shumë vende të BE-së dhe Rusia i kthyen shumë mallëra bimore në Serbi për shkak të tejkalimit të normës së materjeve toksike në to. Fermerët serbë përmes blerjes së pesticideve të lira pa dashur i kishin helmuar bimët që i eksportonin në BE e në Rusi. Shkurt, ne mblejmë mallëra serbe, por nuk ndodh edhe e kundërta. Mungon ende reciprociteti si parim themelor këmbimi mes palëve të barabarta. Ky është realiteti ekonomik që prodhojnë kufijtë tanë me Serbinë edhe në ditët e sotme. Në vitin 1999 ishte shumëherë më keq se tani. Por, për Vëllezërit Bytyçi, rrjedhojat e këtyre kufijve ishin edhe më të drejtëpërdrejta, sepse lidheshin me jetën e tyre. Ata u vranë, pse patën guximin ta thyejnë një ligj të pashkruar, një tabu: të kalonin kufirin kosovaro-serb në një kohë kur zemërimi serb për brakisjen e plotë të Kosovës nga forcat policore dhe ushtarake ishte në kulmin e tij. Ky kalim atyre iu kushtoi me jetë. Formalisht, ashtu siç e parashihnin ligjet serbe, ata u dënuan vetëm me nga 15 ditë burg, por pastaj ajo që ngjau në burg ishte e jashtëzakonshme. Ata u rrëmbyen nga burgu dhe u ekzekutuan në një vend e datë të panjohur deri më tani në Serbi dhe pastaj i varrosën në një varr masiv të të vrarëve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë, në Petrovosello. Unë i dija këto gjëra, por historia e tyre ka edhe një pjesë të ngatërruar postmortale, sepse ende asnjë gjykatë serbe nuk ka shpalllur një dënim për dorasit, emrat e të cilëve nuk njihen ende. Ekziston edhe një rezolutë e Kongresit Amerikan për këtë çështje. Kongresmeni Eliot Engëll ( Eliot Engel) ka pas thënë se „dua t’i them Serbisë se ky është një mësim i rëndësishëm, se pas 20 vjetësh ne (Shtetet e Bashkuara) nuk kemi harruar dhe nuk do të harrojmë kurrë. Ne do të këmbëngulim që drejtësia të triumfojë“. Por në 26 vjetorin e vrasjeve të Vëllezërve Bytyçi ende drejtësia nuk ka triumfuar. Kongresmeni Eliot Engëll nuk jeton më dhe çështja e gjetjes dhe dënimit të dorësve apo dorasit nuk ka bërë asnjë hap përpa. Sidoqoftë, ne nuk e harrojmë asnjëherë shembullin e tyre fisnikë, ndaj dhe pikërisht për këtë gjë shkova edhe unë për t’u bërë homazhe te varret e tyre në Nju Jork. Për mua si shqiptar, befasia nuk ishte e vogël kur pashë me sytë e mi stemën e UÇK-së të gdhendur në gurin e secilit prej varreve të tre Vëllezërve dëshmorë. Kisha menduar se këtë stemë mund ta hasja vetëm në gurëvarret e dëshmorëve dhe heronjëve që i kishin varret e tyre në Kosovë, por, ja, që, areali i shpërnarjes së kësaj steme që tregon diçka të madhe paska shtrirje ndërkontintale. Në Europë nuk gjen askund varre të tilla. Jo pse nuk ka shqiptarë që janë varrosur në ato vende dhe që kanë rënë në fushën e betejës në një kohë kur, edhe po të doje, nuk mund të varroseshe në atdhe, por sepse vendet mikpritëse nuk e lejonin një formë të tillë të varrimit „provokues“. Në Europë, me sa duket, ka ende një tjetër ndjeshmëri për miniimperializmin serb. Disa shtete druajnë nga politika e jashtme serbe, nga reagimet e saj fulminante, disa të tjera ende ruajnë një lloj mirëkuptimi të fshehtë për imperializmin rajonal serb, sidomos kur ai lidhet me shqiptarët. Vëllezërit Bytyçi ishin lindur dhe rritur në Amerikë dhe, pavarësisht se kishin luftuar për çlirimin e Kosovës nga serbët, ende nuk i njihnin mirë marrëdhëniet serbo-shqiptare. Ata kujtonin se lufta tashmë kishte përfunduar me një epilog të qartë, kështu që nuk shihnin asnjë arsye për një hakmarrje serbe. Vëllezërit Bytyçi, siç e dimë në ndërkohë, u vranë nga shteti serb. Një proces gjyqësor që filloi kundër dy serbëve nja 5-6 vjet pas aktit të vrasjes, u ndërpre me arsyetimin se i akuzuari kryesor nuk gjendej në Serbi. Supozohej se ai kishte ikur nga Serbia në Rusi, por, pas një kohe mediat zbuluan vendqëndrimin e tij në Budvë të Malit të Zi, në një kohë kur Mali i Zi nuk ishte më pjesë e shtetit jugosllav, por shtet më vete. Shihet, qartazi që mungon vullneti politik për dënimin e krimeve të luftës.
Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi ishin pjesëtar të batalionit „Atlantiku“. Ata morën pjesë nė luftën e Kosovës nga prilli i vitit 1999 e deri në fund. Në korrik të vitit 1999 i përcollën në Serbi dy familje jevge që ishin kujdesur për shpëtimin e një pjese të familjes së tyre që jetoi gjatë luftës në Prizren. Jevgjët shpëtuan nga vrasja nënën e tyre Bahrije, vëllaun Fatos e motrën Bukurije Bytyçi gjatë luftës, por donin tė shpërnguleshim në Serbi në një kohë kur në Kosovë ekzistonte një klimë e egër hakmarrjeje ndaj jevgjëve që kishin bashkëpunuar me serbët.