Vrasjet në Francë e Belgjikë, frikë për sigurinë në Evropë. Gjermania, në alarm

17 tetor 2023 | 12:32

Vrasja e dy suedezëve në Belgjikë, tronditi Evropën, e pohuar kjo dhe nga vetë presidenti francez Emmanuel Macron gjatë vizitës në Shqipëri.

Një ditë përpara episodit të dhunshëm në Bruksel, një mësues u ekzekutua në Francë. Në të dy rastet, akti ekstrem është shoqëruar me thirrjet “Allaku Ekber”, duke dëshmuar qartë se frika e një rishfaqjeje të krimeve të urrejtjes mes konfliktit të rindezur izraelito-palestinez, po bëhet realitet.

Brukseli po e trajton sulmin si akt terrorist e ka ngritur gjendjen e gatishmërisë, edhe pse agresori, një ekstremist i dyshuar tunizian është qëlluar e vrarë sot nga policia.

Lufta në Lindjen e Mesme po ndikon edhe në situatën e sigurisë në Gjermani, e pohuar kjo nga kreu i Bordit të Kontrollit të Shërbimit Sekret, Konstantin von Notz.

“Gjendja edhe kështu ishte mjaft e tensionuar ndër të tjera për shkak të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, por është përkeqësuar ndjeshëm tani pas ngjarjeve të fundit në Lindjen e Mesme”, tha ai.

Ambasadori i Izraelit në Gjermani, Ron Prosor, paralajmëroi se “asnjë lloj Gaze nuk duhet të lejohet të shfaqet në tokën gjermane”.

Një rrezik i tillë kërcënon, nëse shoqatat si rrjeti palestinez Samidoun dhe mbështetësit e tjerë të Hamasit vazhdojnë të abuzojnë me demokracinë gjermane, tha ai në një program të përbashkët mëngjesi të shërbimeve televizive publike gjermane ARD dhe ZDF.

Anëtarët e shoqatës palestineze Samidoun dhe simpatizantët e tyre festuan sulmet e Hamasit ndaj Izraelit në rrugët e Berlinit dhe qyteteve të tjera gjermane.

“Gjermania nuk duhet të lejojë më që yjet e Davidit të shënohen në shtëpitë hebreje në Berlin, prandaj shumë hebrenj nuk guxojnë më të dalin në rrugë”, tha ai.

Lidhur me situatën aktuale në Izrael, Prosor shtoi se është e qartë “që popullsia palestineze në Rripin e Gazës duhet të çlirohet nga Hamasi”.

Pavarësisht përpjekjeve të tij më të mira, Izraeli sipas tij, nuk mund të garantojë mbrojtjen e popullatës së pafajshme civile, për sa kohë që Hamasi i përdor këta njerëz si mburoja.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentin francez Emmanuel Macron gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin…