Vritet në Liban mjeku 30-vjeçar i ushtrisë izraelite, Ori Silvester

03 qershor 2026 | 08:04

Një mjek i ushtrisë izraelite u vra dhe shtatë ushtarë u lënduan nga një sulm i Hezbollahut me dron në jug të Libanit të hënën.

Mjeku i vrarë u identifikua si Kapiten Dr. Ori Yosef Silvester, 30 vjeç, që shërbente në Batalionin Shaked të Brigadës Givati, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

Gjatë sulmit, i cili ndodhi pak pas mesditës, dy dronë të ngarkuar me lëndë shpërthyese dhe të lëshuar nga Hezbollahu goditën një automjet të blinduar në qytezën Zawtar al-Sharqiyah, sipas një hetimi të ushtrisë izraelite.

Shpërthimi i shkaktuar nga dronët e la të vrarë mjekun Silvester dhe plagosi shtatë ushtarë.

Dy oficerë dhe një ushtarë u plagosën seriozisht në sulmin e njëjtë, një ushtar tjetër pësoi lëndime mesatare, ndërsa dy oficerë dhe një ushtar u lënduan lehtë.

Në mesin e atyre që pësuan lëndime të lehta ishte komandanti i Batalionit Shaked, i cili e ka gradën e kolonel lejtënantit.

Silvester është ushtari i 14-të izraelit që vritet gjatë luftimeve kundër Hezbollahut që nga hyrja në fuqi e një armëpushimi në prill. Vdekja e tij është e dyta që njoftohet nga ushtria izraelite në më pak se një ditë, pasi Adam Tzarfati u vra nga një sulm i Hezbollahut me dron në jug të Libanit në orët e hershme të së hënës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Më shumë se gjashtë në dhjetë persona kërkojnë këshilla për…