
Vuçiq aktivizon “Rrjedhën turke”
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të premten vuri në funksion një pjesë të gazsjellësit, që kalon përmes territorit të Serbisë, dhe i cili do ta lidhë atë me gazsjellësin “Rrjedha turke”. Kjo po ndodh pas më shumë se një viti e gjysmë prej kur ka nisur punimet për ndërtimin e tij.
Vuçiq, në vendin Gospogjinci të Vojvodinës deklaroi të premten se ky seksion i gazsjellësit është i një rëndësie të madhe për industrinë dhe përparimin e ekonomisë serbe.
Ai theksoi se Serbia do të furnizohet me gazin me një çmim deri në 155 dollarë, me kosto shumë më të ulëta të transportit.
Ai, gjithashtu, tha se gazi do të sillet në shumë komuna ku nuk është aktualisht në dispozicion dhe se kjo do t’i bëjë ato vende më tërheqëse për investitorët.
“Serbia, me mbështetjen e partnerëve rusë, arriti të sigurojë furnizimin me gaz për territoret e saj”, tha Vuçiq.
Hapjen e gazsjellësit presidenti i Serbisë, Vuçiq, e ka paralajmëruar më 25 dhjetor.
“Ka kaluar gazi provues. Nuk kemi bërë shumë zhurmë lidhur me këtë, por më 30 dhjetor do të nisë gjithçka”, ka thënë Vuçiq.
Ai më parë kishte deklaruar se pas futjes në punë të “Rrjedhës turke”, mbetet të punohet më tutje në gazifikimin dytësor, gjegjësisht që gazi të dërgohet deri në Vranjë, në jug të Serbisë, në Valevë, në pjesën qendrore dhe perëndimore, si dhe te pikat në lindje dhe jugperëndim të vendit.