Kosova, shtet i pabërë plotësisht

01 janar 2021 | 10:41

Ismail SYLA

1.
Kur Konferenca Ndërkombëtare e Rambouillet u finalizua në Paris më 18 mars 1999, për Kosovën ishte rrethanë fatlume refuzimi i nënshkrimit të dokumentit nga ana e Serbisë. Në marrëveshje ishte përfshirë prania e 1500 forcave ushtarake serbe në Kosovë. Bombardimi 78 ditësh i Jugosllavisë së mbetur të Millosheviqit nga NATO në fund pat epilog historik. Serbia u dorëzua me Marrëveshjen e Kumanovës me 9 qershor 1999. Refuzimi i Serbisë pos që çoi në çlirimin e Kosovës, e krijoi një moment të rëndësishëm kur sekretarja e Shtetit Madeleine Albright ia kumton lajmin me linjë satelitore liderit politik të UÇK-së Hashim Thaçi – së se nga Kosova do të tërhiqen të gjitha forcat ushtarake dhe policore serbe. Për këto 1500 forca, në bisedimet e Vjenës, nën drejtimin e të dërguarit special të OKB-së për statusin e Kosovës Martti Ahtisaari, qarkulloi një anekdotë siprituoze, kur delegacioni serb i nervozuar dhe duke parë që e kanë humbur keq Kosovën, kishte kërkuar të realizohej kthimi i tyre. Me ironi dhe cinizëm ishte përgjigjur Ahtisaari: Nëse i kthejmë me sa ushtarë të KFOR-it do t’i ruajmë ata? Duke aluduar se pas krimeve, masakrave, spastrimit etnik dhe gjenocidit të ushtruar mbi popullatën shqiptare të Kosovës, për forcat serbe nuk kishte mbetur më vend.

2.
Përfundimi i luftës në Kosovë nuk mbeti pa një plagë të thellë që është ende e gjallë sot atë ditë. Kontrollimi i pjesës së territorit prej bregut verior të lumit Ibër deri te kufiri me Serbinë nga strukturat serbe që në thelb dirigjohen nga Beogradi është problem ende i hapur. Nëntë vjet pas çlirimit, Kosova u shpall shtet i pavarur, më 17 shkurt 2008, por gjendja në veriun e saj gjeografik tregon se Kosova ende nuk është shtet i bërë një qind për qind në aspektin territorial. Bisedimet teknike dhe ato politike në Bruksel nuk kanë arritur ta rrumbullakojnë këtë aspekt të Kosovës. Natyra e krizës së veriut të Kosovës ndryshon nga gjendja e krizës së Kosovës në vitet e paraluftës dhe gjatë luftës. Kjo gjendje “paqësore” 21 vjeçare ka bërë që në Bruksel dhe Uashington të mos ketë vendosmëri të hekurt që të zgjidhet përfundimisht ky problem. Zhagmitja organike evropiane dhe mosvënia e Kosovës në listën prioritare të agjendës amerikane ka bërë që kjo pjesë e Kosovës të jetë ilustrim i gjallë për Atdheun tonë ende plotësisht të pabërë.

3.
Njohja e Kosovës si shtet i pavarur nga shumica e vendeve më të rëndësishme të botës është një e arritur e madhe diplomatike. Është e vërtetë e dukshme se Kosova ka bërë shumë koncesione, zbatim të diskriminimit pozitiv në favor të komuniteteve pakicë, e veçanërisht ndaj atij serb. Sado që të ketë bërë Kosova, Beogradi zyrtar pas mbarimit të luftës ka dëshmuar një vendosmëri të paluhatshme për ta penguar Kosovën në arenën ndërkombëtare. Së pari me mosnjohje. Logjika politike e Beogradit ka dëshmuar se kur nuk ka bombardime të NATO-s ajo nuk lëshon pe. Me krenari çdo lider shtetëror serb deklaron se derisa të jetë në pushtet nuk do ta nënshkruajë pavarësinë e Kosovës. Ata do ta nënshkruanin ose një Kosovë të gjymtuar keq ose një Kosovë me një republikë serbe që do të bëhej funksionale në atë pjesë që me qejf do ta gjymtonin. Mosbërja e Kosovës në veri rri si shpatë Damokleu e varur në një fije të hollë peri.

4.
Nëse do të shpreheshim me logjikën e shifrave, Kosova është e bërë shtet rreth 90 për qind. Tendenca për shtet – rrumbullakësi kërkon që të ecet para dhe arrijë 95 për qindëshin, pastaj me radhë deri në 99 e përfundimisht deri në 100 për qind. Tendenca kundër – shtetësi po përpiqet që përmes këtij 10 për qindëshi të pambaruar ta rrezikojë atë 90 për qind të mbaruar. Po gërryen kudo, po kërkon vrima, po përpiqet të gjejë hapësira jashtë dhe brenda Kosovës, që ta rrënojë shtetin e Kosovës,
Tentativa më e sofistikuar e rrënimit të 90 për qind të pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës është aktakuza dhe burgosja e lidershipit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nëse e shikojmë elementin njerëzor që goditet nga kjo aktakuzë, shtabi i përgjithshëm, komandantët e zonave, çdo lloj eprori, “ministrat” dhe “zëvendësministrat” e “Qeverisës së Përkohshme të Kosovës” (1999), nëse këta njerëz pa gjë në dorë kanë arritur të bëjnë krime kundër njerëzimit, ngjashëm dhe njëjtë si aparati shtetëror i Jugosllavisë dhe Serbisë së Millosheviqit, atëherë vërtet arrihet një goditje e rëndë në zemër të shtetësisë së Kosovës.

5.
Gërryerjet e brendshme shqiptare, dëshmitë e rrejshme, akuzat mbi baza partiake kundër njerëzve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pa dyshim janë kontributet më të ulëta që pasuruan mozaikun armiqësor dhe iu bashkuan frymën anti – Kosovë në Beograd e më gjerë. Pjesa më e ndritshme dhe më sublime e historisë së Kosovës që kurorëzoi lirinë dhe pavarësinë e Kosovës po tentohet që të përmbyset. Nga luftë çlirimtare, lufta e UÇK-së të shndërrohet në krim kundër njerëzimit. Duke përmbysur këtë histori po shemben gur themelet e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Duke i shembur këto themele po i jepet shkas frymës anti – Kosovë që të hapet ideja e rishqyrtimit dhe kontestimit të pavarësisë së saj. E ku ka më mirë për Beogradin zyrtar që përmes këtij rishkrimi të historisë, sa herë që të akuzohet për gjenocid në Kosovë, të përmend “krimet” e Ushtrisë Çlirimtare!
E, sa për gëzimin e një pjese të konsiderueshme të spektrit politik që prapa grilave gjenden liderët themelorë të UÇK-së, duhet një shkrim tjetër.

6.
A të them: Gëzuar 2021?

Shkruar enkas për “Epokën e re”

Autori ka qenë këshilltar politik i ish-presidentit Hashim Thaçi

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kujtime të gazetarit Nuhi Bytyçi nga festimi i Vitit të…