Vuçiq thotë se do të kërkojë llogari për bombardimet e NATO-s në Kosovë

13 maj 2018 | 20:34

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, gati 20 vjet pas bombardimeve të NATO-s në Kosovë, është ankuar se nga kjo kampanjë po pësojnë ende shumë qytetarë serbë.

Gjatë hapjes së Institutit të ri të Onkologjisë në Beograd, Vuçiq deklaroi se municioni i përdorur gjatë kampanjës së NATO-s kundër ish-Jugosllavisë, përmbante sasi të madhe të uraniumit të varfëruar, gjë që sipas tij edhe në ditët e sotme po ndikon për të keq në shëndetin e popullatës serbe, transmeton lajmi.net.

“Sot, në Institutin Onkologjik kam mësuar se çdo ditë e më shumë fëmijë po diagnostifikohen me kancer në vendin tonë. Do të jem i sinqertë, fillimisht unë nuk i kam besuar teoritë për uraniumin e varfëruar, por sot, pas bisedave me doktorë, e kuptova që uraniumi i varfëruar është njëri nga shumë faktorët që shkakton kancerin në moshë të hershme”, u shpreh Vuçiq.

Madje Vuçiq shtoi se Serbia do të kërkojë llogari për një gjë të tillë.

“Ky është një krim i paprecedent, dhe ne si shtet do të merremi shumë seriozisht me këtë”, përfundoi Vuçiq.

Operacioni i NATO-s erdhi pas politikave të spastrimit etnik të shqiptarëve në Kosovë nga regjimi serb. Ndërkaq, shenja të sëmundjeve malinje nga uraniumi i varfëruar ishin shfaqur edhe tek ushtarët të cilët ishin pjesë e misionit paqeruajtës menjëherë pas bombardimeve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në javën që vjen pala kosovare për të dytën herë…