
Vuçiqi komenton humbjen e mbrëmshme të Serbisë, e lidh me zgjedhjet në Kosovë
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ka komentuar humbjen e mbrëmshme të kombëtares serbe në përballje me Shqipërinë.
Vuçiqi ndeshjen e mbrëmshme të futbollit, ka tentuar ta lidhë me zgjedhjet e sotme në Kosovë, në cilat siç ka thënë i në komunat në veri ka pjesëmarrje të madhe të serbëve. Kjo sipas Vuçiqit ka shkaktuar “nervozizëm” në Kosovë.
“Kudo, deri në orën 10, pjesëmarrja ishte më e lartë në zonat serbe sesa në ato shqiptare. Shpresoj që Lista Serbe të fitojë, shpresoj që ata të jenë në gjendje të marrin përsëri në duart e tyre një pjesë të qeverisë”, u ka thënë Vuçiqi gazetarëve në Beograd, raporton “Danas”.
Sipas tij, shqiptarët nga të gjitha trevat nga Tirana, përmes Prishtinës, në Preshevë dhe Bujanoc – “janë të dehur pas fitores së mbrëmshme” të ekipit të futbollit shqiptar ndaj Serbisë në Leskovc.
“Do të doja që sonte të ishte një festë pak më e rëndësishme në komunitetet serbe në Kosovë dhe Metohi, sesa ajo festë. Ashtu siç u gëzuan mbrëmë me flamurin shqiptar, në mënyrë që sonte për një çështje më të rëndësishme sesa shkelmimi i topit, njerëzit të gëzohen në komunitetet serbe”, ka thënë Vuçiqi.