
Wesley Clark: Aktakuzat e Speciales pengojnë ecjen para të Kosovës
Po vazhdojnë reagimet dhe opinionet e personaliteteve të ndryshme vendore e ndërkombëtare lidhur me zhvillimet aktuale që kanë të bëjnë me aktakuzat e Gjykatës Speciales ndaj ish-liderëve të UÇK-së.
Kështu, ish-komandanti Suprem i Forcave të Armatosura të NATO-s, gjenerali Wesley Clark, i cili kishte udhëhequr fushatën e bombardimeve ndaj caqeve serbe në vitin 1999, ka deklaruar se nuk ka pasur kurrë ndalesë të përpjekjeve për të vënë pengesa në rrugën e Kosovës drejt përparimit.
“Propozim-aktakuza ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, është vazhdimësi e aktiviteteve për ta penguar ecjen e Kosovës përpara”, theksoi gjenereali Wesley Clark në RTK.
“Presionet dhe përpjekjet për ta nënçmuar Kosovën nuk janë ndalur kurrë”, shtoi gjenerali Clark.
Sa iu përket aktakuzave të Gjykatës Speciale, gjenerali Clark deklaroi se “nuk e ka idenë nëse ato janë të vërteta apo jo, megjithatë, sipas tij, shihet se është një vazhdimësi e aktiviteteve që është mjaft e dukshme edhe 20 vjet pas”.
Njeriu që e udhëhoqi operacionin e NATO-s në bombardimin e caqeve serbe në Kosovë, më 1999, i cili gjatë një vizite në Kosovë, Thaçin e kishte quajtur hero, tani kujton takimin e parë me ish-drejtorin politik të UÇK-së, Hashim Thaçi.
“Presidenti Thaçi ka qenë lider i UÇK-së, të cilin e kam takuar së pari në Rambuje, derisa vijonin negociatat, në shkurt të vitit 1999. Atje jam takuar edhe me udhëheqës të tjerë të UÇK-së”, ka deklaruar gjenerali Clark.