Williams: Kosova, model frymëzues për shtetet e vogla

02 qershor 2025 | 12:26

Kosova është shndërruar në një model frymëzues për shtetet e vogla në zhvillim, falë angazhimit të saj për ndërtimin e paqes, përfshirjes së grave në qeverisje dhe avancimit të drejtësisë sociale.

Kështu ka vlerësuar guvernatori i përgjithshëm i Antigua dhe Barbuda, Rodney Williams, gjatë edicionit të tretë të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili po mbahet në Prishtinë.

Williams ka theksuar se përpjekjet e Kosovës për të ndërtuar partneritete strategjike, për të forcuar sundimin e ligjit dhe për të promovuar paqen brenda komunitetit evropian janë shembullore dhe duhet të shërbejnë si inspirim për vende të tjera që kanë kaluar përmes konflikteve.

Në fjalën e tij, ai e ka konsideruar udhëtimin e Kosovës nga lufta në stabilitet si një dëshmi të fuqishme të këmbënguljes dhe vizionit të udhëheqjes së saj, duke nënvizuar se paqja nuk është kurrë rastësore, por një proces që fitohet dhe ruhet përmes përfshirjes dhe guximit.

“Përpjekjet tuaja për sigurimin e partneriteteve strategjike, forcimin e sundimit të ligjit dhe avokimin për paqe të mundshme brenda Bashkësisë Evropiane janë shembullore. Jam veçanërisht i prekur nga avokimi juaj i guximshëm për udhëheqjen e grave në ndërtimin e paqes dhe angazhimi juaj i palëkundur ndaj parimeve të Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Qëndrimi juaj në fuqizimin e të rinjve, qeverisjen gjithëpërfshirëse dhe drejtësinë sociale tejkalon kufijtë tuaj dhe pasqyron vlerat e përbashkëta të shteteve të vogla në zhvillim, siç është i yni”.

“Udhëtimi i kombit tuaj nga konflikti në vetëbesim është një dëshmi e fuqisë së këmbënguljes dhe qëllimit. Që takohemi në këtë tokë, dikur e shkatërruar nga lufta dhe sot në përpjekje për paqe, nuk i shpëton askujt prej nesh. Na kujton se paqja nuk është kurrë aksidentale. Ajo fitohet, mbrohet dhe mbahet në jetë përmes vizionit, përfshirjes dhe guximit”, ka thënë Williams.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Al Nassr për një kontratë të për Cristiano Ronaldon, me…