Xhevat B. Muqaku boton libër të ri me poezi

21 gusht 2022 | 09:12

Ka dalë nga shtypi, nën përkujdesjen e shtëpisë botuese Armagedoni, libri me poezi i poetit Xhevat B. Muqaku.

Sipas redaktorit të librit, Adem Gashi, “ky është një vëllim poetik me ëndrra dhe engjëj, me një florë dhe faunë të vendlindjes bashkë me kujtime fëmijërie e djalërie, me një leksik specifik ku interferojnë edhe fjalë e nocione mjekësie nga lëmi i profesionit të autorit, por që prekin ndjesi të holla emocionale”.

“E kemi zënë ngoje edhe më parë se ky autor ka kapur një shkallë të lartë të abstraksionit poetik. Ndoshta, ngaqë jeta dhe puna në Perëndim, njohja e kulturës dhe letërsisë gjermane i ka dhënë dorë të kapë e zbërthejë një botë moderne dhe urbane në thellësinë e saj. Megjithatë, në planin e formësimit të vargut, ndryshe nga sivëllezërit e tij mërgimtarë, e shmang patetikën dhe nostalgjinë e zhveshur. Madje do të thosha se bën një provë interesante me përdorimin e metaforës së vrazhdë, mënjanë metaforës vegjetative të Jusuf Gërvallës.

Formulimet si:  zhbllokimi i trurit, tregtari i fjalëve, fjalët e ndryshkura, e përvëluan breshrin, zilja e shqepjes, dihatje e hijes të tjera, të ngjethin mishtë, të tronditin me agresivitet, por që krijojnë tablonë ekspresioniste të jetës së njeriut të mjedisit tonë.

Të ky autor po shoh një zhvillim të hovshëm e të fuqishëm poetik”, ka shkruar shkrimtari Adem Gashi për librin e Muqakut.

 

Poezi nga libri i botuar:

 

MË THA NË PREHRIN TIM

Edhe kur drita fiket

zemra ime lulëzon.

 

Brenda fatit tim

gjakut yt qarkullon.

 

Ndeshemi udhëkryqeve

në harmoni me simfoninë.

 

Derisa Hëna hedh valle me retë

fare në fund

qëndron fillimi ynë.

 

SHKON E VJEN SI ERA

S’shihesh, s’ndihesh, s’prekësh,

U fryn fluturave e prapë kthehesh.

 

Rreshkesh me bubullimën në urë,

E bën qull ndjenjën e fajit tim.

 

Lidhur nyje gjuhët i mbanë,

Mbetesh e fortë dhe e butë.

 

E ëmbël për t’u ngrënë çdo ditë

në hije mbetur e hidhur në shije.

 

Krejtësisht i vetëm në filxhan,

Dalë boje dhe i braktisur

në pritje të fatit më të mirë.

 

BUZËT E KRIPURA

Të fluturës së natës

i palpoi tek engjëjt

që të mirat dhe të ligat

i mposhtin në gjumë.

 

Në larminë e hematomat

zbehin grykën e mallit.

 

Lotin tim të ëmbël

në skulpturat e mia shijuar

me heshtjen e jetës e kanë.

 

HAKUN MOS T’UA HAMË

Përgjumshëm

pasdite ëndrrën e zgjuan

mjellmat që liqenin e notuan.

 

Sfiduan këmbët dhe fatin e zogut

që krahëthyer fluturoi.

 

Muza rrah me flatrat e saj

idenë e vargut tim në lindje.

 

E plagosur me sy më ndjek

nga dritarja e hapur.

 

M’i buzëqeshë në ëndërr

qirinjve reflektues.

 

Ua tregon zogjve hijet.

 

Dëgjohen e s’treten në errësirë

flatrat e tua që me prekin lehtë.

 

Rriten me sekretin e verës

lule të egra në livadh,

çmim i elegancës natyrale.

 

PORTRET I BUZËQESHJES

Zërin pa ton

zjarri s’e ndryshku

natën kur ora ndaloi së ecuri.

 

Në djersën time larë

prej rrezeve të Hënës

qielli herë pas here skuqej.

 

Synuar ishte

dielli që dëbon dimrin

dhe zemërimin prej damarëve.

 

Korona buzëqeshjen time

s’e përfilli,

djersa rrjedhur poreve kishte.

 

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të premten në Fushë-Kosovë është ndërprerë energjia elektrike e për…