
‘Ylli i javës’ në Superligë, Veliu: Synojmë titullin
Federata e Futbollit të Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall, edhe këtë vit do të vazhdojnë të ndajnë çmimin “Ylli i javës”. Ky çmim, për javën e parë në Albi Mall Superligë, i është ndarë futbollistit të FC Prishtina, Valmir Veliu.
Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, në përbërje të Enes Shosholli, Lulzim Berisha dhe Naim Kodraliu. Ky komision vendosi që çmimi “Ylli i javës” për xhiron e parë në këtë edicion kampional t’i takojë Valmir Veliut, i cili asistoi në një gol dhe shënoi një gol në ndeshjen kundër FC Dukagjinit (2:3), duke qenë vendimtar që skuadra kryeqytetase ta nisë edicionin kampional me fitore.
Pasi mori këtë çmim, Veliu u shpreh i lumtur që u vlerësua si lojtari më i mirë i javës: “Të luash për Prishtinën është ëndërr e çdo lojtari. Jam ambientuar shumë mirë dhe shumicën e lojtarëve i kam njohur më herët. Të luash në Dukagjin është gjithmonë e vështirë, por ia dolëm të shënojmë fitore. Personalisht gëzohem që e kam ndihmuar ekipin me gol dhe me asistim”. “Ky çmim për mua është motiv të punoj dhe të ushtroj më tutje, si dhe të vazhdoj ta ndihmoj ekipin çdo javë. Prishtina, çdo vit, synim e ka titullin kampion ose daljen në Evropë”, ka deklaruar Veliu për faqen zyrtare të FFK-së.