Yuri Kim: Do t’i nxis udhëheqësit e Shqipërisë ta zgjidhin ngërçin politik

30 tetor 2019 | 10:37

Yuri Kim, e emëruar si ambasadore e SHBA-së në Shqipëri, foli të martën pasdite në Uashington përpara Komisionit të Senatit për Punët e Jashtme në një seancë për konfirmimin e saj.

Kim, e cila u emërua nga presidenti Donald Trump në qershor të këtij viti, tha se nëse konfirmohet do të ndiqte disa përparësi në punën e saj si ambasadore.

Ajo tha se do të inkurajonte Shqipërinë për të arritur nivelin 2 për qind në shpenzimet e mbrojtjes deri në vitin 2024.

Diplomatja tha se do të nxiste udhëheqësit e vendit për të zgjidhur ngërçin aktual politik në mënyrë që të forcohet perspektiva e hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE.

Kim shtoi se do të inkurajonte gjithashtu Shqipërinë të zbatonte plotësisht reformat në drejtësi, përfshirë kontrollin e figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe krijimin e strukturave të posaçme për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, raporton ‘Voa’.

Ajo tha se sheh si përpërësi edhe ndihmën teknike për Shqipërinë në hetimin, ndjekjen dhe ndëshkimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar ndërnacional.

Shqipëria, tha Kim në seancë, ka një emër jo të mirë për krimin e organizuar, për trafikimin e njerëzve, sidomos të grave si dhe të narkotikëve përmes kufijve.

Kim tha se nëse konfirmohet, do të punonte gjithashtu për të nxitur eksportet dhe investimet amerikane në Shqipëri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, ka reaguar pas lajmit…