“Z-Mobile” e dërgon Telekomin te përmbaruesi për 25 milionë eurot

15 korrik 2019 | 20:43

Bedri Istrefi, kryeshef ekzekutiv i Telekomit, ka bërë me dije se kanë pranuar Propozim Përmbarimin nga kreditori “Dardafon.net” LL.C (Zmobile).

Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se Telekomi i Kosovës në cilësinë e Debitorit sipas këtij njoftimi i obligohet Kreditorit me 25.000.000 euro (njëzet e pesë milionë euro), vlerë kjo që pritet të saktësohet pas ekspertizës financiare, ku pritet të kalkulohen edhe kamatat.

Istrefi ka thënë se në këtë gjendje në të cilën ndodhet Telekomi, gjasat janë minimale për të kryer një transaksion të kësaj vlere.

Postimi i plotë i Istrefit:

Telekomi i Kosovës njofton opinionin publik se sot me datë 15.07.2019 kemi pranuar Propozim Përmbarimin nga Kreditori ”Dardafon.net LL.C.”

Telekomi i Kosovës në cilësinë e Debitorit sipas këtij njoftimi i obligohet Kreditorit me 25.000.000 EUR (njëzet e pesë milionë euro), vlerë kjo që pritet të saktësohet pas ekspertizës financiare, ku pritet të kalkulohen edhe kamatat.

Si bazë e kërkesës përmbarimore është Vendimi i Arbitrazhit (ICC) 20990/MHM.

Telekomi i Kosovës njofton të gjithë palët e interesit dhe vetë Dardafon.net (Zmobile), se në këtë gjendje në të cilën ndodhet, gjasat janë minimale për të kryer një transaksion të kësaj vlere.

Telekomi i Kosovës do të ndjek të gjitha rrugët dhe mjetet ligjore, që të prapësohet ky Propozim Përmbarim. Poashtu do të njoftohet edhe në mënyrë zyrtare vetë Aksionari për këtë rast.

Veprimet e ndërmarra nga ana e Dardafon.net, konsiderojmë se janë të njëanshme dhe të paanalizuara për efektet që mund të kenë dhe si të tilla janë të papranueshme për Telekomin e Kosovës, e aq me tepër në kohën kur është duke u biseduar/negociuar në mirëbesim për mundësinë e të qenurit partner edhe në të ardhmen (kuptohet duke respektuar MSA-në ekzistuese deri në skadencë të plotë).

Një akt i tillë do krijonte një situatë gati të paimagjinueshme dhe rrjedhimisht një kolaps në operime, humbje të besimit ndaj partnerëve, furnitorëve dhe vetë klientelës së Telekomit të Kosovës.

Pasiguria rreth të ardhmes së Telekomit të Kosovës, do ketë ndikim direkt tek vetë punëtorët, të cilët demotivimin do ta reflektojnë direkt në krijimin e një krize të brendshme, e që lidhet zingjirë edhe me vetë gjendjen sociale dhe ekonomike në Kosovë.

Pasiguria dhe paqëndrueshmëria e Telekomit të Kosovës nënkupton se efekti negativ i këtij veprimi është për keqardhje dhe me pasoja të pariparueshme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në degën…