Zaevi dhe Ahmeti, pranë arritjes së marrëveshjes për qeveri të re
Në takimin e sotëm mes kreut të LSDM-së, Zaev dhe kryetarit të BDI-së, Ahmeti, pritet të arrihet marrëveshje përfundimtare për formim të koalicionit qeveritar. Siç njoftuan dje LSDM dhe BDI, është arritur marrëveshje serioze mes dy partive politike për formim të qeverisë.
Gjatë fundjavës dhe dje kanë vazhduar takimet intensive mes përfaqësuesve të LSDM-së dhe BDI-së për të krijuar një marrëveshje për një qeveri stabile në Maqedoninë e Veriut.
“Ekipet e LSDM dhe BDI intensivisht punuan për krijimin e një marrëveshje koalicioni që në ditët e para të afatit të caktuar prej 20 ditëve pas marrjes së mandatit. Në bisedimet që udhëhiqen në nivel të sekretarëve të përgjithshëm është arritur avancim serioz për thuajse të gjitha çështjet që kanë të bëjnë për Qeverinë”, theksuan dje nga LSDM.
LSDM dhe BDI gjatë dy ditëve kanë punuar në harmonizim të programeve zgjedhore dhe ndarjen e përgjegjësive në resore për dy partitë si dhe krijim të një programi katër vjeçar, ndërsa bisedimet kanë pasur fokus ekonominë, drejtësinë, barazinë dhe integrimet.