Zafir Berisha e quan Albin Kurtin endacak

05 nëntor 2021 | 08:06

Dega e PDK-së në Prizren, në garën për balotazh, ka bërë koalicion me AAK-në, Nismën dhe AKR-në, ndërsa rivalja e saj, LV-ja, me partitë turke e boshnjake. Por, dikujt nuk po i pëlqen vajtja e shpeshtë e kryeministrit Kurti në këtë komunë.

Qytetarët e Prizrenit do të zgjedhin mes Shaqir Totajt të PDK-së dhe Mytaher Haskukës, kryetarit aktual nga LV-ja. Kundër këtij të fundit ka një strategji që këtë herë ka bërë bashkë disa subjekte politike.

Nga PDK-ja janë të sigurt që koalicionet para balotazhi do të sjellin fitore për këtë parti.

Një nga partnerët tashmë të konfirmuar si aleat i PDK-së në zgjedhje, Zafir Berisha, po thotë se me këtë koalicion po e dënojnë qeverisjen e Haskukës.

Berisha e kritikon edhe ardhjen e shpeshtë të kryeministrit Kurti në Prizren me një gjuhë jo fort të zakonshme.

“Këtë endacakun që sillet vërdallë rrugëve të Prizrenit, i cili ka harruar se është kryeministër por unë e kuptojë frikën sepse këtu po fillon fundi i tij dhe mashtrimeve të tij që i ka bërë Prizrenit dhe Kosovës”, ka thënë Berisha.

Megjithatë, pavarësisht prej partive të tjera që veç se janë pozicionuar, Lidhja Demokratike e Kosovës ka zgjedhur të mos përkrahë asnjërën palë.

Hanefi Muharremi, nënkryetar i degës së LDK-së në Prizren, thotë se ata kësisoj e reflektojnë humbjen e tyre.

Në këtë mes, i painteresuar të deklarohet gjatë së enjtes ishte kryetari aktual i Prizrenit, Mytaher Haskuka.

Haskuka pranë e ka Unionin Socialdemokrat të boshnjakëve me Duda Baljen, partinë tjetër boshnjake NDS-në të Emilia Rexhepit dhe partinë turke VAKAT.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Analisti Milaim Zeka ka diskutuar rreth ngacmimeve seksuale në institucione…