Zeka: Kjo opozitë s’mund ta rrëzojë Qeverinë edhe 1 000 vjet

06 maj 2018 | 13:53

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka, nuk beson se Qeverinë Haradinaj mund ta rrëzojë kjo opozitë. Ai ka vlerësuar se opozita është qesharake, duke shtuar se paralajmërimet për mocion mosbesimi po i bën vetëm për propagandë politike.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Zeka ka thënë se Qeveria aktuale mund të rrëzohet vetëm nëse duan partitë që janë në pushtet. “Qeveria rrëzohet veç kur të duan amerikanët, Brukseli dhe kur duam ne që jemi pozitë. Sa për këtë opozitë, kjo Qeveri edhe 1 000 vjet nuk rrëzohet”, ka thënë Zeka.

Deputeti i Nismës Socialdemokrate ka thënë se interpelancat që thirren prej kësaj opozite tregojnë për nivelin e saj. “Boll e shkokërdhavtë është kjo Qeveri, veçse opozita është edhe më e shkokërdhavtë. Krejt këto deklarime partitë opozitare i bëjnë vetëm sa për fushatë, sepse nuk e kanë seriozisht. Për mendimin tim, askush këtu nuk po bën opozitë. Shiko se çfarë interpelancash thërrasin. Fëmijët po t’i thërrisnin këto interpelanca mua do të më vinte marre”, ka deklaruar Zeka. Ai ka kritikuar edhe iniciativat e partive politike për t’i organizuar tryezat e përbashkëta, me të cilat synohet të arrihet konsensusi nacional rreth çështjeve të mëdha.

Zeka ka thënë se iniciativat e tilla janë të kota dhe po bëhen sa për sy e faqe.

“Për mendimin tim, kjo është vetëm me u qitë hi syve të këtij populli të varfër që i ka ardhur shpirti në majë të hundës nga papunësia, mosperspektiva për të ardhmen dhe, mbi të gjitha,, nga ajo se iu ka vra shpresa për të ardhmen”, ka thënë Zeka, duke shtuar se këto tryeza nuk do të prodhojnë asnjë rezultat.

“Kurrfarë rezultati pozitiv nuk japin këto tryeza. Këta liderë politikë që marrin iniciativa të tilla i kanë krejt për kamofllazhë. Përndryshe, ata tërë ditën rrinë me njëri-tjetrin në kafe e restorante duke hëngër darka e dreka. Kështu që, bisedat e tilla kanë mundur të bëhen pa tryeza të tilla. Ma thoni ju se cili është rezultati i tryezës së kaluar të LDK-së? Zero. Cili do të jetë rezultati i kësaj tryeze? Zero. Dhe kur t’i shohin këto, qytetarët e shkretë do të mendojnë se kjo është edhe një lojë kundër tyre”, është shprehur Zeka.

“Epoka e re”: Z. Zeka, tryeza e radhës e partive politike do të organizohet javën e ardhshme nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK). A do të marrë pjesë Nisma?
Zeka: Kësaj pyetje mund t’i përgjigjet vetëm z. Fatmir Limaj. Unë nuk kam kompetencë të flas nëse do t’i përgjigjet Nisma kësaj kërkese. Varet krejt prej kryetarit të partisë dhe kryesisë së partisë.

“Epoka e re”: Meqenëse keni shkuar në tryezën e parë të organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), a do të duhej të merrnit pjesë edhe në tryezën e PDK-së?
Zeka: Parimisht po. Mendoj se Nisma nuk do t’i ikë asnjë tryeze.

“Epoka e re”: Cili është vlerësimi juaj për iniciativat e subjekteve politike, që përmes tryezave të përbashkëta të arrihet konsensusi nacional rreth çështjeve të mëdha?
Zeka: Për mendimin tim, kjo është veç sa për t’u qitur hi syve të këtij populli të varfër që i ka ardhur shpirti në majë të hundës nga papunësia, mosperspektiva për të ardhmen dhe, para së gjithash, nga ajo se iu ka vra shpresa për të ardhmen. Kurrfarë rezultati pozitiv nuk japin këto tryeza. Këta liderë politikë që marrin iniciativa të tilla i kanë krejt për kamofllazhë. Përndryshe, ata tërë ditën rrinë njeri me tjetrin në kafe e restorante duke hëngër darka e dreka. Kështu që, bisedat e tilla kanë mundur të bëhen pa tryeza të tilla. Ma thoni ju se cili është rezultati i tryezës së kaluar të LDK-së? Zero. Cili do të jetë rezultati i kësaj tryeze? Zero. Dhe kur t’i shohin këto, qytetarët e shkretë do të mendojnë se kjo është edhe një lojë kundër tyre.

“Epoka e re”: Nuk besoni se do të arrihet një konsensus nacional për çështje të mëdha përmes këtyre tryezave?
Zeka: Nuk mund të arrihet konsensus në mënyrë absolute me politikanë, të cilët kanë qenë në hasmëri 20-vjeçare mes vete. Këta në momentin që çohen prej tavolinës, po të ishte e mundur, do ta hanin njëri-tjetrin, do ta vrisnin njëri-tjetrin, do ta çonin në burg njëri-tjetrin. Kështu që, kjo është hipokrizi. Këto tryeza do të përdoren si gjethet e fikut për t’i mbuluar problemet reale të qytetarëve të Kosovës. Prandaj, Nisma dhe kryetari i partisë sonë kurrë nuk i kanë parë këto bisedime me ndonjë entuziazëm të madh. Ne kemi shkuar në këto tryeza vetëm për faktin që mos të mendojë dikush se ne jemi frenues apo sabotues të proceseve politike të Kosovës.

“Epoka e re”: Atëherë si duhet të veprohet me dialogun me Serbinë, i cili tash pritet të hyjë në fazën përfundimtare
Zeka: Dialogun me Serbinë është dashur që prej fillimit deri në mbarim ta udhëheqin njerëzit eminentë. Në këtë proces do të duhej të merrte pjesë edhe opozita. Unë kam deklaruar në foltoren e parlamentit, se një prej udhëheqësve të dialogut me Serbinë është dashur të jetë Albin Kurti. Pastaj, pjesë e bisedimeve për të pagjeturit është dashur të jetë një njeri i kalibrit tim, që ka familjarë të zhdukur dhe jo për të dërguar në këtë proces individë injorantë, të cilët nuk kanë kurrfarë platforme të bisedave me Serbinë.

“Epoka e re”: Platforma e Qeverisë për fazën finale të dialogut parasheh që këtë fazë të dialogut ta udhëheqë presidentin i vendit, ndërsa Nisma ka shprehur rezerva për këtë. Pse?
Zeka: Sepse Kuvendi i Kosovës nuk ka nxjerrë kurrfarë rezultatesh përmes të cilëve ne i japim një mandat presidenti Thaçi për t’i udhëhequr bisedimet me Serbinë.

“Epoka e re”: Prej që Lista Serbe ka bërë me dije se ka dalë nga Qeveria, opozita vazhdimisht ka kritikuar Qeverinë duke thënë se nuk e ka shumicën në Kuvend. Madje është paralajmëruar se do ta rrëzojë edhe Qeverinë për ta çuar vendin në zgjedhje?
Zeka: Boll e shkokërdhavtë është kjo Qeveri, veçse opozita është edhe më e shkokërdhavtë. Krejt këto deklarime partitë opozitare i bëjnë vetëm sa për fushatë, sepse nuk e kanë seriozisht. Për mendimin tim, askush këtu nuk po bën opozitë. Shiko se çfarë interpelancash thërrasin. Fëmijët po t’i thërrisnin këto interpelanca mua do të më vinte marre. Ata thërrasin interpelancë për 100 ditët e Qeverisë, kurse ne ishim në 200 ditët e Qeverisë. Pastaj, të thërrasësh interpelancë për rastin e Astrit Deharit nuk ka më marre. Më marre është të thërrasësh interpelancë për Astrit Deharin sesa me dalë në rrugë cullak. Sepse kjo i ka rënë sa për të luajtur me patriotizmin e familjes Dehari, e cila është prej familjeve më të nderuara dhe më të respektuara shqiptare. Kështu që, këto po përdoren prej partive opozitare vetëm për propagandë politike. Pse nuk u thirr interpelancë parlamentare për Telekomin e Kosovës, për shitjen e Aeroportit dhe për shitjen e KEDS-it?! Pse nuk po thirret interpelancë për mungesën e Ligjit për naftën, për kontrollin e naftës, të barnave dhe të mishit?! Një pjesë e deputetëve janë të përzier në këto biznese. Pse nuk po thirret interpelancë për nxjerrjen e ligjit për medie, sepse shumica e deputetëve kanë portale dhe i paguajnë gazetarët se kujt me ia futë. Unë nuk u frikësohem gazetarëve mercenarë, por u frikësohem gazetarëve të vërtetë, që mendoj se në Kosovë ka pak. Pse sa herë unë kam folur kundër ish-drejtorit të Valëss, Agron Mustafës, nuk më ka cituar asnjë medium. Sepse ai së bashku me Kadri Veselin të gjitha medieve u ka dhënë me hëngër tallë.

“Epoka e re”: Sipas jush, Qeverinë Haradinaj nuk mund ta rrëzojë kjo opozitë?
Zeka: Qeveria rrëzohet veç kur të duan amerikanët, Brukseli dhe kur duam ne që jemi pozitë. Sa për këtë opozitë, kjo Qeveri edhe 1 000 vjet nuk rrëzohet.

Muahmet KOCI

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka përkujtuar profesor…