Zelensky akuzon Rusinë për ‘terrorizëm energjetik’

04 nëntor 2022 | 15:47

Rusia ka lëshuar të tjerë dronë kamikazë në infrastrukturë dhe objektiva civile në Ukrainën juglindore.

Kështu kanë thënë zyrtarët ukrainas më 4 nëntor.

Pas dëmtimit të madh në rrjetin elektrik, që ka ardhur si pasojë e këtij sulmi, miliona ukrainas kanë mbetur pa energji elektrike. Kjo e ka shtyrë presidentin Volodymyr Zelensky që të akuzojë Moskën për “terrorizëm energjetik”.

Valentyn Reznichenko, guvernatori i rajonit Dnipropetrovskov, ka thënë se ushtria ukrainase ka shkatërruar tetë dronë Shahed-136 në rajonin jugor të Nikopolit.

Ai ka thënë se trupat ruse kanë goditur gjithashtu katër vendbanime në të njëjtin distrikt me raketa Grad dhe zjarr artilerie, dhe kanë dëmtuar një tubacion gazi dhe një linjë energjie, si dhe shkatërruar disa ndërtesa banimi.

Zelensky ka thënë në fjalimin e tij më 3 nëntor se më shumë se 10 për qind e popullsisë së paraluftës në Ukrainë, ose 4.5 milionë banorë, kanë mbetur përkohësisht pa energji elektrike për shkak të sulmeve ruse.

“Vetë fakti që Rusia po përdor terrorizmin energjetik tregon dobësinë e armikut tonë. Ata nuk mund ta mundin Ukrainën në fushëbetejë, kështu që ata përpiqen të thyejnë popullin tonë në këtë mënyrë”, ka thënë ai.

Ka disa javë që Rusia është duke shënjestruar infrastrukturën ukrainase të energjisë, dhe ndërtesa tjera civile, me raketa, dronë dhe sulme artilerie, teksa ushtria ukrainase zgjeron kundërofensivën në lindje dhe juglindje.

Rusia deri më tani ka shkatërruar më shumë se 40 për qind të infrastrukturës ukrainase të energjisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka nënshkruar një ligj që lejon…