Zemaj në COSAP: Sundimi i rendit dhe ligjit, prioritet i Kosovës

26 shkurt 14:11

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka marrë pjesë në Konferencën e Komisioneve Parlamentare për Integrime Evropiane (COSAP).

Në këtë konferencë, Zemaj ka thënë se njëri ndër prioritetet kryesore të institucioneve të Kosovës është sundimi i rendit dhe ligjit.

Adresimi i Zemajt në Konferencën e Komisioneve Parlamentare për Integrime Evropiane (COSAP).

I nderuari z. Grubi, kryetar i Komisionit për Çështje Evropiane,
Të nderuar pjesëmarrës së Konferencës së Komisioneve Parlamentare për Integrime Evropiane të vendeve pjesëmarrëse në Procesin e Stabilizim-Asociimit të Evropës Jug-Lindore COSAP,
Të nderuar deputetë të Parlamentit Evropian,
Ambasadorë,
Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Një prej sfidave më të mëdha të vendeve tona në Evropën Juglindore, është sundimi i ligjit, qeverisja e mirë dhe forcimi i institucioneve demokratike.

Institucionet e Republikës së Kosovës një prej prioriteteve kryesore e kanë sundimin e rendit dhe ligjit. Obligimet institucionale që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit janë të prioritizuara me veprimet konkrete përmes dokumenteve siç janë Programi Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe Agjendën për Reforma Evropiane.

Agjenda për Reforma Evropiane është dokument që ka përcaktuar prioritetet dhe ndër tri prioritetet, e para është qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit.

Kosova ka shënuar progres sa i përket qeverisjes së mirë, por duhet akoma punë për të arritur nivelin e kënaqshëm. Ashtu siç e potencova, institucionet e Republikës së Kosovës kanë ndërmarr hapa konkret në drejtim të zbatimit të kësaj agjende, ku tashmë kanë planin e veprimit për zbatimin e ERA-së.

Në kuadër të prioritet një (1) që është Qeverisja dhe sundimi i ligjit parashihet rishikimi dhe miratimi i legjislacionit që e bënë të detyrueshëm pezullimin dhe/ose largimin e zyrtarëve publik të akuzuar dhe dënuar për korrupsion.

Po ashtu, ndryshimi i ligjit për parandalimin e konfliktit te interesit është në procedurë në Kuvend dhe shpejtë do të miratohet.

Përveç kësaj, ka një përparim dhe finalizim sa i përket edhe sigurimit të transparencës dhe llogaridhënies së financimit të partive politike.
Rëndësi të veçantë iu kushtohet edhe fuqizimit të kapaciteteve njerëzore në sistemin gjyqësor, ndërsa korniza ligjore sa i përket sistemi të drejtësisë është në proces të miratimit.

Projektligji për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtar dhe prokurorëve është në proces ku synohet krijimi i një sistemi gjyqësor dhe prokurorial të paanshëm, të pavarur në zbatimin e ligjit.

Pra, reforma ligjore në sistemin e drejtësisë është duke vazhduar, ku tashmë projektligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës, Projektligji për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Projektligji për gjykatat janë në procedurë në Kuvend për shqyrtim dhe miratim.

Theksojmë se sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar kërkon fillimisht vullnet politik dhe njerëz më të kaluar të pastër, kërkon reforma në infrastrukturën ligjore dhe administrative si dhe përkushtim maksimal institucional.

Qasja parlamentare në këtë aspekt nuk bënë të shikohet në kontekst të ngushtë të shqyrtimit dhe mbikëqyrjes së këtyre politikave, por edhe si një qasje mbështetëse të këtyre politikave.

Andaj forcimi i shtetit ligjor, luftimi i dukurive negative, mbrojtja e pronës publike dhe private, krijimi i kushteve për investime të jashtme mbeten prioritet i vazhdueshëm. Me këtë rast synimet tona janë që sa më shpejtë të bëhemi pjesë e aleancës për siguri e stabilitet, njëherit presim nga të gjithë që të kemi përkrahjen tuaj për anëtarësim në Interpol dhe Europol.

Pra, jemi të përkushtuar në respektimin e të gjitha të drejtave dhe lirive të garantuara me konventa ndërkombëtare dhe Kushtetutë si dhe për të siguruar perspektivë evropiane qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Ju faleminderit për vëmendjen tuaj!

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Futbollisti i njohur shqiptar, Granit Xhaka i ka dhuruar fanellën…