Zemaj viziton spitalin në Prizren, interesohet për menaxhimin e situatës me pandeminë
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, së bashku me ekipin e ekspertëve epidemiologjikë dhe mjekësorë të Institutit gjerman të shëndetit publik “Robert Koch Institute” dhe përfaqësuesit e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, vizituan sot spitalin e përgjithshëm “Dr. Daut Mustafa” në Prizren, ku panë nga afër se si ky spital po e menaxhon situatën me pandeminë, si dhe punën dhe sfidat e stafit shëndetësor.
Po ashtu, ata vizituan edhe Qendrën Rajonale të Shëndetësisë Publike / QRSHP në Prizren, degë e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ku nga drejtori dr. Fadil Kryeziu u informuan në detaje për mbarëvajtjen e punës dhe procesin e testimeve të Covid-19.
“E falënderova personelin shëndetësor për punën e palodhur në luftën kundër virusit. Ne po bëjmë përpjekje maksimale për të përmirësuar kushtet e stafin dhe ofrimin e shërbimeve më të mira për pacientët. Përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare, OBSh dhe të institutit ‘Robert Koch’ të Gjermanisë e vlerësuan lartë punën tonë profesionale dhe suksesin në menaxhimin e pandemisë”, ka thënë ministri Zemaj.
Ai ka theksuar se falë punës profesionale që po bëhet, Instituti “Robert Koch” i Gjermanisë do të njeh testet PCR të bëra në Kosovë, sepse këto ditë e ka futur në listën pranuese edhe Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare të IKSHPK-së.
“Ky është një hap i madh në këtë kohë të pandemisë, sepse përveç se vlerësohet dhe konfirmohet puna dhe suksesi ynë nga Gjermania dhe shtetet e BE-së, ne po e rregullojmë edhe pranimin/njohjen e testimeve të PCR të bëra në Kosovë, në mënyrë që qytetarëve dhe mërgimtarëve tanë t’u lehtësohet kalimi i kufijve për në shtetet e BE-së”.
“Puna dhe sukseset tona po vlerësohen edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë / OBSh, si donatori dhe partneri ynë strategjik. Falë mbështetjes që po na ofron në këto ditë OBSh, do të punësojmë edhe 375 profesionistë shëndetësorë, për fuqizimin e luftës kundër pandemisë”, ka thënë Zemaj.
(Faton Dërmaku / Epoka e re)



