Zëvendësministri i Jashtëm zhvillon telefonatë me homologen ukrainase

14 mars 2022 | 13:20

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti ka zhvilluar sot një telefonatë me homologen e tij ukrainase, Emine Dzhaparova.

Në këtë bisedë Ahmeti e ka njoftuar Dzhaparovën për rreshtimin e Republikës së Kosovës në përkrahje të pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.

Ai ka përmendur sanksionet të cilat Kosova tashmë i ka vendosur dhe gatishmërinë për t’i shtuar ato në koordinim me ShBA-të, BE-në dhe partnerët e tjerë ndërkombëtare.

MPJD-ja ka njoftuar se Ahmeti ka përmendur edhe ndihmën që Republika e Kosovës po e ofron në këtë situatë duke strehuar 20 gazetarë, duke larguar përkohësisht regjimin e vizave për qytetarët ukrainas dhe duke treguar gatishmëri për strehimin e 5000 refugjatëve.

Dzhaparova ka falënderuar Republikën e Kosovës për mbështetjen dhe për rreshtimin e menjëhershëm në anën e Ukrainës.

Nga Ukraina, ajo e njoftoi Ahmetin për situatën e rëndë humanitare të shkaktuar nga agresioni ushtarak i Federatës Ruse dhe për rezistencën e fortë që po e bëjnë ukrainasit.

“Kriza humanitare e shkaktuar nga Federata Ruse, veçanërisht në qytete si Mariupol ku qytetarët po mbahen peng nga rrethimi rus, po thellohet çdo ditë e më shumë”, ka njoftuar MPJD-ja.

Zëvendësministri Ahmeti përcjelli ngushëllimet e sinqerta të Qeverisë së Republikës së Kosovës për viktimat e agresionit rus dhe të dy u pajtuan që t’i vazhdojnë komunikimet e rregullta për bashkëpunim të mëtutjeshëm

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokurori i Shtetit ka bërë me dije se në orën…