Zëvendëspresidenti i PE-së viziton xhaminë në Drenas, bën homazhe edhe në Prekaz

03 janar 2019 | 16:52

Zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, Rainer Wieland, ka vizituar xhaminë e fshatit Zabel i Ulët i Komunës së Drenasit, ku është pritur nga kryetari i komunës, Ramiz Lladrovci, kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Drenas, njëherësh edhe imam i xhamisë së fshatit Zabel i Ulët, Valon Bequku dhe kryesia e Bashkësisë Islame atje.

Me këtë rast, Wieland ka përgëzuar qytetarët e Komunës së Drenasit për tolerancën fetare që kanë dhe ka thënë se për këtë ndihet i lumtur që është qytetar nderi i Komunës së Drenasit.

“Drenasi shquhet për tolerancë fetare dhe për këtë përgëzoj gjithë komunitetin e këtij vendi që tregon respekt ndaj njëri-tjetrit. Ndihem shumë mirë që i përkas titullit më të mirë të mundshëm, qytetar nderi i kësaj komune”, ka thënë ai.

Kryetari i BIK-ut në Drenas, Valon Bequku, ka falënderuar zëvendëspresidentin e Parlamentit Evropian për vizitën që i ka bërë xhamisë së fshatit Zabel i Ulët dhe ka treguar për tolerancën fetare e cila ekziston në Komunën e Drenasit. Bequku ka informuar Wielandin edhe për organizimin e Këshillit të Bashkësisë Islame në Drenas, për shtrirjen e objekteve fetare dhe bashkëpunimin me institucionet komunale.

Zëvendëspresidenti i PE-së, i shoqëruar nga kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci dhe ai i Skenderajt, Bekim Jashari, kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurora me lule në Kompleksin Memorial në Prekaz.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Ferizajt po penalizohet në aspektin buxhetor për shkak…