Zgjatja e procesit zgjedhor po sjell skepticizëm për rezultatin

17 nëntor 2019 | 12:02

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë me dije se zvarritja e procesit të rinumërimit të votave po sjell dyshime dhe skepticizëm për rezultatin e zgjedhjeve.

Ajo ka thënë se stërzgjatja e procesit zgjedhor po dëmton kredibilitetin e zgjedhjeve të 6 tetorit. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Kusari-Lila ka vlerësuar se në këtë mënyrë po krijohet bindja për mundësinë e devijimit të vullnetit të qytetarëve.

“Absolutisht po. Zgjatja e këtij procesi nuk sjell kredibilitet, por dyshime dhe skepticizëm për rezultatin që mund të pasojë nga ky proces”, ka thënë Kusari-Lila. Megjithatë, ajo ka treguar se Alternativa është që asnjë vote të mos i humbet vlera. “Si Alternativë jemi për atë që asnjë qytetari të Kosovës të mos i humbet vota dhe secila votë të numërohet dhe të vihet në konsideratë. Gjithashtu, besojmë dhe shpresojmë se vullneti i qytetarëve të Kosovës, i shprehur më 6 tetor, nuk do të devijohet nga pazaret e mundshme politike”, është shprehur ajo.

Kusari-Lila ka folur edhe për bisedimet e Lëvizjes Vetëvendosje me Lidhjen Demokratike të Kosovës për arritjen e koalicionit qeverisës. Ajo ka lavdëruar bisedimet e deritashme në mes të këtyre dy partive politike, duke thënë se për herë të parë po diskutohet në hollësi për një program qeverisës.

“Është hera e parë në Kosovë që kemi parë parti të cilat me kaq seriozitet kanë punuar për sinkronizim të programeve të veta politike. Deri më tani kryesisht marrëveshjet për qeverisje në vend janë bërë në bazë të pazarit të ndarjes së posteve, ndërsa shumë pak ka pasur diskutim për përmbajtje të programeve apo për qëndrime në objektivat zhvillimore të subjekteve”, ka deklaruar Kusari-Lila, e cila në zgjedhjet e 6 tetorit ka fituar votat për të qenë pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Ajo nuk pret që në këto bisedime të paraqitet ndonjë pengesë e cila do të mund ta pamundësonte arritjen e një koalicioni qeverisës në mes të LV-së dhe LDK-së. “Mendoj se ky proces ka shtuar kredibilitetin dhe besimin te qytetarët për qeverinë e re. Besoj dhe shpresoj që të vazhdohet të diskutohet për pjesën e mbetur me të njëjtën frymë, në mënyrë që të mbahet gjithë shpresa e njerëzve për programin e Qeverisës së ardhshme të Kosovës”, ka thënë Kusari-Lila.

“Epoka e re”: Znj. Kusari-Lila, së fundi Gjykata Supreme ka vendosur të largohen votat e ardhura nga Serbia prej rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 6 tetorit, kurse më herët kemi pasur vendimin e PZAP-it për rinumërim të mbi 1 400 kutive të votimit. Cili është qëndrimi juaj për këto vendime të institucioneve gjyqësore?
Kusari-Lila: Mendoj se stërzgjatja e procesit zgjedhor ka rrezik të ndikojë në humbjen e kredibilitetit. Pra, fakti se rinumërimi i votave po merr kohë shumë më tepër se gjithë procesi i fushatës zgjedhore, votimi dhe dalja e rezultateve preliminare ka shtuar nervozë dhe stres te qytetarët e Republikës sepse po krijohet bindja se mos në prapaskenë ka mundësi të devijimit të vullnetit të qytetarëve. Megjithatë, si Alternativë jemi për atë që asnjë qytetari të Kosovës të mos i humbet vota dhe secila votë të numërohet dhe të vihet në konsideratë. Gjithashtu, besojmë dhe shpresojmë se vullneti i qytetarëve të Kosovës, i shprehur më 6 tetor, nuk do të devijohet nga pazaret e mundshme politike.

 “Epoka e re”: Mendoni se rinumërimi po e lëndon procesin zgjedhor të 6 tetorit?
Kusari-Lila: Absolutisht po. Zgjatja e këtij procesi nuk sjell kredibilitet, por dyshime dhe skepticizëm për rezultatin që mund të pasojë nga ky proces.

“Epoka e re”: Gjatë kohës së numrit dhe rinumërimit të votave kemi pasur përpjekjen e LV-së dhe të LDK-së për t’i harmonizuar programet për koalicionin e ardhshëm qeverisës. Si i keni parë këto bisedime?
Kusari-Lila: Është hera e parë në Kosovë që kemi parë parti të cilat me kaq seriozitet kanë punuar për sinkronizim të programeve të tyre politike. Deri më tani marrëveshjet për qeverisje në vend janë bërë në bazë të pazarit të ndarjes së posteve, ndërsa shumë pak ka pasur diskutim për përmbajtje të programeve apo për qëndrime në objektivat zhvillimore të subjekteve. Besoj se kjo është hera e parë në historinë e pasluftës në Kosovë që kemi parti të cilat kanë marrë kaq shumë kohë për diskutimin e programeve të tyre në hollësi nga ekspertët dhe nënkryetarët e partive për ta bërë një program të përbashkët qeverisës. Ka mbetur pa u diskutuar pjesa finale në mes të dy liderëve të partive politike.

 “Epoka e re”: Është thënë se deri më tani rreth 80 për qind i kanë harmonizuar programet e tyre. Në pjesën që kanë mbetur pa u harmonizuar qëndrimet, mund ta presim paraqitjen e ndonjë pengese për arritjen e koalicionit qeverisës?
Kusari-Lila: Mendoj se ky proces ka shtuar kredibilitetin dhe besimin te qytetarët për qeverinë e re. Besoj dhe shpresoj që të vazhdohet të diskutohet për pjesën e mbetur me të njëjtën frymë, në mënyrë që të mbahet gjithë shpresa e njerëzve për programin e qeverisë së ardhshme të Kosovës. Besoj se 80 përqindëshi është substancë e mjaftueshme duke marrë parasysh se po flasim për dy parti që asnjëherë nuk kanë qeverisur bashkë. Mendoj se është një fillim i mbarë dhe nuk do të thotë se çdo gjë të jetë 100 për qind e unifikuar, sepse pastaj edhe gjatë procesit të qeverisjes mund të ndodhin rishikime të programit qeverisës. Në praktikë ndodh që të bëhen rishikime të programit qeverisës, pas një apo dy vjetëve, edhe nëse qeveria bëhet vetëm nga një parti.

“Epoka e re”: Në bazë të dinamikës së rinumërimit të votave dhe diskutimit të këtyre dy subjekteve për programin qeverisës, kur mund ta presim formimin e qeverisë së re?
Kusari-Lila: Mendoj se kjo do të ndodhë menjëherë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore nga KQZ-ja. Se sa do të zgjasë procesi deri te certifikimi nuk e di. Duhet ta presim rinumërimin e votave dhe ta dimë rezultatin e saktë të zgjedhjeve që të shohim nëse ka pasur ndonjë lëshim në proces. Vetëm pas certifikimit të rezultateve hapet rruga ligjore për formimin e institucioneve.

 “Epoka e re”: Cilat, sipas jush, duhet të jenë prioritetet kryesore të qeverisë së re?
Kusari-Lila: Prioritetet kryesore të kësaj qeverie duhet të jenë një mori problemesh të grumbulluar të shoqërisë kosovare. Së pari prioritet duhet të jetë zvogëlimi i dikastereve qeveritare, që rrjedhimisht sjell zvogëlimin e shpenzimeve dhe stabilizimin e buxhetit. Po ashtu, prioritet duhet të jetë përgatitja e buxhetit për vitin 2020. Kjo është prej punëve të para për të cilën duhet të angazhohet qeveria për shkak të afateve ligjore. Pastaj, prioritet duhet të jetë zbatimi i programit qeverisës, duke përfshirë forcimin e rendit dhe të ligjit, zhvillimin ekonomik, reformimin e administratës publike dhe procesin e integrimeve evropiane. Natyrisht, edhe dialogu me Serbinë është pjesë e punëve që e presin qeverinë e re, duke marrë parasysh këtu mesazhet e partnerëve ndërkombëtarë për këtë proces, i cili ka mbetur në gjysmë dhe nuk dihet ende se kur mund të vazhdojë. Besoj se për këtë proces duhet të kemi një vlerësim për atë se çfarë ka ndodhur deri më tash  dhe një përgatitje paraprake para fillimit zyrtar të dialogut.

 “Epoka e re”: A mund t’ju shohim në ndonjë post ekzekutiv në qeverinë e re?
Kusari-Lila: Nuk e di, sepse postet nuk janë ndarë ende. Ajo që është e sigurt, do të jem deputete në Kuvendin e Kosovës, për çka ndihem shumë e nderuar dhe falënderoj qytetarët e Republikës së Kosovës të cilët më kanë besuar më 6 tetor. Dihet se do të na presim punë të mëdha në Qeveri dhe Kuvend. Në cilëndo sferë jam e gatshme ta jap maksimumin për ndryshime pozitive në Kosovë.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot shënohet ditëlindja e 46-të e heroit Luan Haradinaj, vëllaut…