Zgjedhjet e 7 qershorit, Kryeziu: Gara më sfiduese do të jetë për gratë dhe kandidatët e rinj
Drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, ka folur për sfidat e kandidatëve për deputetë që do të garojnë në zgjedhjet e 7 qershorit.
Ai ka vlerësuar se gara më sfiduese do të jetë për kandidatët e rinj dhe gratë.
Kryeziu ka shkruar se këtë garë të pabarabartë e thellon edhe më shumë sistemi aktual zgjedhor.
“Sot është afati i fundit për dorëzimin e listave të kandidatëve për zgjedhjet e 7 qershorit. Për kandidatët që hyjnë për herë të parë në garë dhe që nuk kanë profil të lartë publik, sfida është dukshëm më e madhe. Zgjedhjet e parakohshme gjithmonë janë disavantazh për ta. Brenda një kohe shumë të shkurtër duhet të krijojnë profil publik, të shpalosin mendimin ose ofertën e tyre politike dhe të ndërtojnë besim elektoral te qytetarët”, ka shkruar Kryeziu në “Facebook”, duke dhënë detaje tjera.
“Gjithashtu, kategoria tjetër që më së shumti është në disavantazh në këto cikle të shpejta zgjedhore janë gratë. Përveç konkurrencës politike, ato shpesh përballen me më pak hapësirë mediale, më pak mbështetje strukturore dhe financiare, me gjuhë diskriminuese dhe me standarde më të ashpra të gjykimit publik. Këtë garë të pabarabartë e thellon edhe më shumë sistemi aktual zgjedhor, ku Kosova trajtohet si një zonë e vetme zgjedhore. Ndarja në zona zgjedhore do të ishte një zgjidhje më e drejtë, sepse do të krijonte përfaqësim më kualitativ, më shumë mundësi për kandidatë të rinj dhe lidhje më të drejtpërdrejtë mes përfaqësuesve politikë dhe votuesve”, ka shkruar Kryeziu.



