Zgjedhjet e brendshme do ta fuqizojnë PDK-në në nivel lokal dhe qendror

20 maj 2019 | 10:31

Kryetari i sapozgjedhur i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Drenas, Sejdi Hoxha, ka bërë me dije se koncepti i ri politik Dekada e Re e ka shtyrë t’i hyjë politikës dhe garës zgjedhore në këtë komunë.

Ai ka vlerësuar se procesi zgjedhor për të parin e PDK-së në Drenas ka qenë demokratik dhe transparent.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Hoxha është zotuar se do të punojë me përkushtim, nder dhe profesionalizëm.

Ai ka thënë se me udhëheqjen e tij do të vazhdohet tradita e fitoreve të PDK-së në Drenas.

Sipas Hoxhës, fakti që në strukturat e PDK-së kanë ardhur njerëz entuziastë dhe të përgatitur është një parametër se PDK-ja do të fuqizohet në nivelin lokal dhe në atë qendror.

“Epoka e re”: Z. Hoxha, të shtunën jeni zgjedhur kryetar i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Drenas, cilat janë arsyet që vendoset t’i hyni politikës dhe pse pikërisht në PDK?
Hoxha: Më ka pëlqyer vizioni i kryetarit Kadri Veseli dhe lansimi i projektit Dekada e Re ka qenë inspirim për mua dhe për të gjithë të rinjtë. Më herët kam qenë simpatizant i PDK-së, por jo anëtar i strukturave dhe nuk kam mbajtur ndonjë pozitë. Vizioni që ka lansuar lideri ynë Kadri Veseli për Dekadën e Re më ka shtyrë dhe më ka motivuar që të jem pjesë e garës për Degën e PDK-së në Drenas. Së bashku me mua edhe shumë të rinj profesionistë të fushave të ndryshme kanë hyrë dhe kanë fituar garën për t’u zgjedhur qoftë delegatë në këshill drejtues qoftë edhe në konventën zgjedhore të partisë.

“Epoka e re”: Si e vlerësoni këtë proces zgjedhor dhe sa ishte e vështirë për ju që ta merrni këtë pozitë?
Hoxha: Gara ka qenë jashtëzakonisht e mirë dhe transparente. Edhe numërimi i votave ka qenë me standarde shumë të larta, ndoshta i vetmi në Kosovë ku çdo votë është pasqyruar në monitor dhe secili kandidat ka pasur mundësi ta shohë votimin që i kanë dhënë delegatët për kryetar të degës, por edhe për pozita të tjera. Gara ka qenë transparente dhe demokratike, por jo edhe e lehtë, për arsye se kanë qenë tre kandidatë. Me këtë rast i falënderoj delegatët që më kanë dhënë besimin për ta udhëhequr Degën e PDK-së në Drenas. Ndihem vërtet krenar që është vlerësuar vizioni im politik.

“Epoka e re”: Kundërkandidati juaj, z. Naim Bazaj, ka shprehur pakënaqësi dhe ka thënë se për zgjedhjen tuaj në krye të degës i ka ‘shti duart kryesia’. Është e vërtetë një gjë e tillë?
Hoxha: Z. Bazaj ka treguar pjekuri të lartë dhe në momentin që janë shpallur rezultatet më ka uruar përzemërsisht, prandaj e falënderoj për sjelljen korrekte. Edhe kundërkandidati tjetër z. Kushtrim Prenku më ka telefonuar dhe më ka uruar për zgjedhjen në këtë pozitë. Gara ka qenë fer, por secili ndoshta ka pasur të drejtë të ndihet i zhgënjyer meqenëse të gjithë kandidatët që i kemi hyrë garës kemi pritur fitore. Në këto zgjedhje nuk ka fitues dhe humbës. Në këto zgjedhje ka fituar koncepti i ri politik Dekada e Re. Ka fituar Partia Demokratike e Kosovës.

“Epoka e re”: Sa do të jetë sfidues drejtimi i Degës së PDK-së në Drenas duke pasur parasysh se ju më herët nuk keni qenë pjesë e strukturave?
Hoxha: Kur fillojnë zgjedhjet nuk i garantojnë askujt pozitë ex officio, do të thotë çdo proces zgjedhor nis nga fillimi. Për vetë faktin se ne kemi marrë një mbështetje jashtëzakonisht të mirë të strukturave të partisë, jam shumë i sigurt se me një përbërje të tillë të këshillit drejtues, kuvendit të degës dhe të kryesisë që do të vijë, do të kemi rezultate shumë më të mira të fuqizimit të mëtejmë të PDK-së në Drenas.

“Epoka e re”: Cilat do të jenë planet dhe prioritetet gjatë këtij mandati dhe çfarë ndryshimi do të bëni në këtë degë?
Hoxha: Komunikimi, transparenca dhe llogaridhënia do të jenë tri shtyllat kryesore që do të përqendrohemi për fuqizimin e Dekadës së re. Qytetarët do të vazhdojnë t’i besojnë lidershipit të PDK-së në nivelin lokal dhe në nivelin qendror duke marrë për bazë se kemi pasur një garë demokratike dhe transparente ku u kemi dhënë hapësirë të gjithë kuadrove që të jenë pjesë e procesit zgjedhor, të zgjedhin dhe të jenë të zgjedhur. Kuadrot e reja kanë potencial dhe energji për ta dhënë kontributin e tyre për fuqizimin e PDK-së. Do të punoj me përkushtim të madh, përgjegjësi, nder dhe profesionalizëm. Së bashku do ta vazhdojmë traditën e fitoreve të PDK-së në Drenas, në bastionin e pathyeshëm të PDK-së.

“Epoka e re”: Z. Hoxha, këto zgjedhje, çfarë do t’i sjellin PDK-së në Drenas dhe në nivel vendi në përgjithësi?
Hoxha: Në shumicën e degëve të PDK-së ka pasur një entuziazëm të pjesëmarrjes së qytetarëve të Republikës së Kosovës për t’u bërë pjesë e strukturave të PDK-së. Fakti që në strukturat e PDK-së kanë ardhur njerëz shumë entuziastë dhe të përgatitur është një parametër dhe një dritë e gjelbër se PDK-ja do të fuqizohet në nivelin lokal dhe në atë qendror pas këtij procesi zgjedhor.

“Epoka e re”: Do të jeni kandidat i PDK-së për kryetar të Komunës së Drenasit në zgjedhjet e ardhshme?
Hoxha: Është pyetje shumë e largët dhe nuk mund t’i japë përgjigje aktualisht.

“Epoka e re”: Por nuk e mohoni një gjë të tillë?
Hoxha: Është vendim të cilin e sjell Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës dhe lideri i saj Kadri Veseli. Nuk më takon mua që të jap përgjigje për këtë çështje.

“Epoka e re”: Z. Hoxha, tash meqë keni pozitë në parti, a do të jepni dorëheqje nga posti i kryeshefit ekzekutiv të Postës së Kosovës?
Hoxha: Përderisa nuk vërtetohet nga institucionet ligjore përgjegjëse nuk do të jap dorëheqje. Sapo që mekanizmat ligjorë institucionalë, siç është Agjencia Kundër Korrupsionit, jep ndonjë vendim, 100 për qind do të jem zbatues i ligjit. Kurrë në jetën time s’do ta shkel ligjin.

(Shqipe HETEMI)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një delegacion i UEFA-s të mërkurën do të jetë për…