Zgjedhjet i fitojmë ne, vijë të kuqe s’i vëmë askujt

25 gusht 12:30

Zyrtari i lartë i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), njëherësh kryetar dege i kësaj partie në Mitrovicë, Bedri Hamza, është shprehur i bindur për fitoren e PDK-së në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka treguar se këtë qëllim PDK-ja do ta arrijë me program të qartë, me ekip të mirë dhe me Kadri Veselin kandidat për kryeministër.

Ministri në detyrë i Financave ka deklaruar se kjo parti është e para në sondazhet më kredibile dhe nuk vendos vija të kuqe për të tjerët.

Hamza ka bërë me dije se subjektet e tjera politike i vendosin PDK-së vija të kuqe për të fituar ndonjë votë më tepër. Por, sipas tij, kjo strategji më nuk do t’ju bëjë punë

“Epoka e re”: Z. Hamza, me vota të pozitës dhe të opozitës Kuvendi është shpërndarë. Cili është vlerësimi juaj për këtë legjislaturë?
Hamza: Kjo legjislaturë ka bërë disa punë të mira. Megjithatë, ka pasur mundësi të bëjë më shumë qeveria dhe Kuvendi. Nuk po flas në raport me nevojat, sepse nevojat e vendit janë shumë të mëdha. Po flas në raport me mundësitë. Ka pasur mundësi të bëhet më shumë. Kuvendi ka pasur mundësi të kishte produktivitet më të madh duke aprovuar numër më të madh të ligjeve, mirëpo shumë seanca kanë qenë të jashtëzakonshme me tema të caktuara, të thirrura edhe nga opozita, të cilat kanë ndikuar në punën e Kuvendit. Besoj se përbërja e ardhshme e Kuvendit, formati i ri i qeverisë, do të ketë një produktivitet dhe efikasitet më të lartë sesa ka qenë në këtë mandat.

“Epoka e re”: Po qeveria, sa i ka përmbushur pritjet tuaja dhe të PDK-së për këtë mandat?
Hamza: Në segmente të caktuar ka pasur përparim. Nëse i referohemi rritjes ekonomike, rritja ekonomike për vitit 2017 ka qenë 4.2 për qind, që është më e madhe se rritja në qeverinë paraprake. Nëse qeveria paraprake është mbyllur me rritjen ekonomike prej 4.1 përqindësh, rritja ekonomike 4.2 për qind është më e larta. Për vitin 2018 presim vlerësime zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës. Sipas vlerësimeve tona, del se rritja ekonomike ka qenë 4.3 për qind, pra është një rritje më e madhe sesa në periudhën paraprake. Sa i përket stabilitetit makrofiskal, vendi ka përmirësuar stabilitetin makrofiskal. Së fundi e dëgjova një deklaratë të liderit të Vetëvendosjes për deficit buxhetor, e cila ishte krejtësisht joprofesionale dhe e paqëndrueshme. Nëse i referohemi periudhës shtatëmujore të këtij viti, ne jo se kemi deficit, por kemi suficit, që do të thotë se kemi mbledhje të të hyrave më shumë sesa që kemi shpenzuar. Vendi asnjëherë nuk e ka pasur likuiditetin më të mirë. Aktualisht bilanci bankar është mbi 700 milionë euro, që është rreth 10 për qind e brutoproduktit vendor dhe i cili garanton që të kryhen të gjitha obligimet ligjore në kohë. Asnjëherë nuk ka pasur vonesa për ekzekutimin e pagave, apo pensioneve, dhe nuk ka asnjë arsye të qëndrueshme që organizatat buxhetore të kenë vonesa në pagesa për punët e kryera. Përtej kësaj, i inkurajoj organizatat buxhetore ta bëjnë dinamizmin e ekzekutimit të projekteve kapitale.

Pra, vendi ka pozitë të qëndrueshme dhe stabilitet makrofiskal. Nëse e shikojmë buxhetin nga 1.7 miliard sa ka qenë në pjesën e ekzekutivit në vitin 2017, këtë vit ne kemi arritur të kemi buxhet prej 2.4 miliardësh dhe buxhet me burime të qëndrueshme të financimit.

Tash se a shpenzohen apo nuk shpenzohen është çështje e organizatave buxhetore, por financimi është 100 për qind i sigurt. Trendi i të hyrave është i mirë. Në Administratën Tatimore për këtë periudhë të vitit të hyrat janë diku 11 për qind më shumë sesa në vitin paraprak, Dogana po e mban një trend 4 deri në 5 për qind, dhe pres që deri në fund të vitit plani i të hyrave në përgjithësi të përmbushet rreth 98-99 për qind, që është një përmbushje jashtëzakonisht e mirë. Janë kryer edhe punë të tjera të mira. Për këtë mandat kemi përfituar mbi 200 milionë euro grante, pa kthim para, për projekte të ndryshme në Kosovës. Kjo ka ndodhur si rezultat i ruajtjes se qëndrueshmërisë dhe stabilitetit makrofiskal, por edhe si rezultat i një bashkëpunimi të mirë dhe konkurrimit me projekte të përgatitura mirë. Kemi siguruar financimin edhe për rrugën për Pejë dhe për rrugën për Mitrovicë, si dhe kemi siguruar financim edhe për shumë projekte të tjera në arsim, shëndetësi, bujqësi e kështu me radhë. Jemi të vetëdijshëm se ka vonesa në disa projekte, sidomos në rrugën Prishtinë – Pejë. Kjo rrugë ka studimin e fizibilitetit dhe dizajnin detal teknik dhe ka financimin e sigurt. E dimë se çfarë rëndësie ka kjo rrugë për rrafshin e Dukagjinit. Po ashtu, vlen të përmendet rritja e pensioneve kontributdhënëse me 15 për qind dhe pensioneve bazike me 20 për qind. Për herë të parë është fituar financimi i skemës së viktimave të dhunës seksuale. Ka qenë gabim që në qeverinë paraprake janë aprovuar ligjet, por nuk janë buxhetuar tri kategori të reja, siç janë personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë, personat e paaftësuar në vendin e punës dhe viktimat e dhunës seksuale. Pastaj, ka ndodhur rritja e pagave në përputhje me rritjen ekonomike. Gjithashtu, ka përfunduar reforma e administratës publike dhe ligjet tashmë janë në fuqi. Pra, të gjitha këto kanë ndodhur duke e ruajtur top prioritetin që është stabiliteti makrofiskal duke mos përjashtuar që niveli i investimeve kapitale me financim të sigurt është mbi 800 milionë.

“Epoka e re”: Meqenëse tani ka mbetur vetëm të caktohet data e zgjedhjeve nga presidenti, si do t’ia bëni për ndarjen e buxhetit për KQZ-në? Në mbledhjen e fundit të qeverisë në dorëheqje është zhvilluar një debat rreth kësaj çështje?
Hamza: Ndonëse ky vit nuk ka qenë vit zgjedhor, duke u bazuar në përvojën e punës sonë në institucione, kemi ndarë një fond në kuadër të Ministrisë së Financave i cili mund të përdoret në rast nevoje. Pra, në këtë fond janë rreth 20 milionë euro, i cili nuk është vetëm për një qëllim, por edhe për qëllime të tjera. Mirëpo në rast nevoje, mbi bazën e nenit 15, paragrafit 2 dhe 7 të ligjit, ministri i Financave ka të drejtë të bëjë transferimin e këtyre mjeteve në cilëndo kategori ekonomike dhe në cilëndo organizatë buxhetore. Pasi kryeministri i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, ne jemi në përgjigje të kësaj gjykate dhe mbi bazën e përgjigjes së Gjykatës Kushtetuese do t’i kryejmë të gjitha veprimet e nevojshme. Kemi marrë një draft-kërkesë nga KQZ-ja dhe PZAP-ja për buxhetin që u nevojitet për këto zgjedhje. Nuk është shumë e cila nuk mund të mbulohet, mirëpo vetëm po presim qartësim të situatës juridike.

“Epoka e re”: Sa është përgatitur PDK-ja për këto zgjedhje?
Hamza: PDK-ja për këto zgjedhje është përgatitur jashtëzakonisht mirë. Ne kemi përfunduar procesin zgjedhor në të cilin ka pasur në pjesëmarrje masive. Jemi parti e konsoliduar, kemi shtrije në tërë territorin e Kosovës dhe kemi ndërtuar një strukturë të fuqishme, duke filluar prej nëndegëve, degëve dhe nivelin qendror. Janë krijuar shtabet zgjedhore dhe janë identifikuar njerëzit përgjegjës të procesit dhe aktivistët. Po ashtu, PDK-ja ka një program jashtëzakonisht të mirë dhe shumë konkret, të cilin besoj se kryetari Veseli do ta shpalosë në ditët e ardhshme.
Jam optimist se zgjedhjet dhe procesi zgjedhor do të shkojnë mirë dhe jam i sigurt se PDK-ja do të vazhdojë të jetë partia e parë në Kosovë. Po dëgjoj shumë analistë e oponentë politikë që po thonë se PDK-ja ka qeverisur gjatë dhe duhet të shkojë në opozitë. Por, ky nuk është kurrfarë argumenti. Merreni për shembull Holandën, Austrinë, Gjermaninë apo shtetet e tjera dhe shihni se në këto shtete jetëgjatësinë në pushtet të një parti politike nuk e përcaktojnë oponentët e saj politikë, por qytetarët. Prandaj, edhe PDK-ja do të qeverisë aq gjatë sa e fiton besimin e qytetarëve të Kosovës. Po ashtu, kam dëgjuar edhe tjetrën: se nuk do t’i japim më shansin PDK-së. Dy herë PDK-ja si partia e parë e ka marrë LDK-në në koalicion, në zgjedhjet e vitit 2007 dhe në ato të vitit 2014. PDK-në deri më tani nuk e ka marrë në koalicion askush, PDK-ja i ka marrë të tjerët në koalicion. Pra, qëllimi ynë është t’i fitojmë sërish zgjedhjet dhe për këtë qëllim jemi fokusuar në program, ekip dhe me kryetarin Veseli si kandidat për kryeministër do të jemi të sigurt në fitore. Kjo do të ndodhë edhe si rezultat i punëve që i kemi bërë në të kaluarën. Nuk them se gjatë qeverisjes kemi qenë pa gabime, por do të përmirësohemi vazhdimisht dhe në këtë drejtim kryetari Veseli ka dhënë shembullin se si duhet të shkohet përpara.

“Epoka e re”: Deri më tani pothuajse të gjitha partitë i kanë vendosur PDK-së vija të kuqe. Cila është përgjigjja e PDK-së ndaj këtyre vijave?
Hamza: PDK-ja nuk vendos vija të kuqe për askënd, sepse ne jemi të fokusuar për t’i fituar zgjedhjet. Si fitues të zgjedhjeve e kemi të drejtën e krijimit të qeverisë dhe pastaj, mbi bazën e rezultateve të zgjedhjeve, ulemi dhe e diskutojmë çështjen e programeve dhe të gjitha elementet e tjera. I kuptoj qëndrimet e oponentëve tanë politikë, sepse ata e dinë fuqinë e PDK-së, e njohin organizimin dhe strukturën tonë dhe, normalisht se i frikësohen PDK-së. Qëllimi i këtyre qëndrimeve të partive të tjera ndaj PDK-së bëhet për të fituar ndonjë votë, por ka kaluar koha kur individë të caktuar jo që kanë qenë vlerë e shtuar për parti të caktuara, por brenda atyre partive e kanë rritur votën e vet duke u marrë me PDK-në. Besoj se kjo çështje i takon së kaluarës dhe është mirë që partitë të garojnë në zgjedhje me programe, ekip dhe lider.

“Epoka e re”: Sondazhet e publikuara deri më tani nuk e nxjerrin mirë PDK-në. A keni bërë ndonjë sondazh të brendshëm?
Hamza: Natyrisht se edhe ne i kemi sondazhet dhe janë shumë të besueshme. Në bazë të këtyre sondazheve ne jemi të parët. Ata që po thirren në disa sondazhe po tregohen shumë qesharakë, sepse nuk është ashtu siç po thonë. Pra, PDK-ja është partia e parë dhe do të vazhdojë të jetë parti e parë. Tani e tutje vetëm do të shkojë duke i rritur.

“Epoka e re”: Deri më tani janë bërë dy koalicione parazgjedhore: AAK-PSD dhe Nisma-AKR. PDK-ja, a ka menduar për ndonjë koalicion parazgjedhor?
Hamza: Ne jemi të gatshëm të shkojmë edhe vetëm në zgjedhje. Mirëpo kjo nuk do të thotë se e kemi mbyllur çështjen e koalicioneve. Në çfarëdo opsioni ne jemi të gatshëm për zgjedhje.

“Epoka e re”: Shumëkush mendon se për t’ua shkrirë vijat e kuqe të tjerëve, PDK-ja mund t’ia ofrojë ndonjë partie postin e kryeministrit sikurse ka ndodhur herën e fundit.
Hamza: Jo. Mendoj se z. Veseli përfundimisht do të jetë kandidati ynë për atë post dhe kryeministër i ardhshëm i Kosovës. Jam i bindur se është në interes të vendit që partia fituese ta ketë postin e kryeministrit.

“Epoka e re”: Cila do të jetë oferta kryesore e PDK-së në këto zgjedhje?
Hamza: Fillimisht programin do ta shpalosë kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, i cili do t’i prezantojë vijat e trasha të programit. Ai është një program i përgatitur mirë, i cili është në përputhje me realitetin dhe nevojat e Kosovës, duke marrë në konsideratë specifikat e Kosovës. Pra, programi e prek pjesën e rendit dhe ligjit, zhvillimin ekonomik dhe segmentet sociale. Është një program i kombinuar shumë mirë, real dhe racional.

Muhamet KOCI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skënderbeu e nisi me një fitore të vështirë sezonin e…