Zhurma e parodisë me yllin komunist në Sunny Hill

30 gusht 2022 | 17:42

Festivali “Sunny Hill” mbylli maratonën e tij 72 orëshe pa regjistruar incidente gjatë ecurisë së tij.

Por, kritika e opozitës dhe shumë përdoruesve në media sociale u përqendrua te pasqyrimi i yllit komunist përbri shqiponjës në flamurin kombëtar.

Fotografia u shfaq në ekranin e madh të skenës së “Sunny Hill”, gjatë performancës së grupit “Asgjë Sikur Dielli”.

Këta të fundit, ishin të pestët që u ngjitën në skenë të dielën e 28 gushtit.

Deputetët demokratë reaguan fill pas publikimit të fotove në mediat sociale, duke e cilësuar si një ngjarje “jo të rastësishme”.

Kjo, në një vend që “ka vuajtur gjatë nën diktaturën e instaluar nga komunistët”.

Ishte deputeti Enkelejd Alibeaj që kërkoi më shumë seriozitet dhe respekt për procesin e dekomunistizimit.

Pas zhurmës së krijuar rreth e qark kësaj fotoje, reagoi edhe vokalisti i grupit Alban Nimani.

Sipas tij, video-klipi i këngës “Ku ka më mirë se me qenë shqiptar?” është publikuar në vitin 2005.

Ajo është një parodi e stilit “Monty Python”, ku trajtohen ngjarjet dhe figurat historike nga antikiteti deri në ditët e sotme, në mënyrë surrealiste dhe ironike.

“Shfaqja e flamurit kombëtar me yll, nuk ka të bëjë me glorifikimin e komunizmit, përkundrazi, në video klip shembet komunizmi”, vëren Nimani.

Këngëtari garantoi se grupi mbetet shumë i vetëdijshëm për persekutimet, krimet dhe vuajtjen që ka shkaktuar komunizmi në Shqipëri, sepse i përkasin familjeve të persekutuara.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj deklaroi sakaq se nuk luftohet komunizmi me metoda komuniste.

Kjo, pasi kënga ishte “një satire ndaj regjimit”

“Uroj të luftoni me të njëjtin zell sekretarin e PPSH në krye të PD dhe sigurimsin aleat!”, thekson Veliaj.

Në fund të ditës, zhvillimi krijoi “shumë zhurmë për ‘asgjë’ sikur diellin”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sokol Havolli ka dhënë dorëheqje nga pozita e zëvendësguvernatorit të…