Zhvillimet në veri, Lajçaku takon përfaqësues nga Franca, Gjermania dhe Italia,  në takim edhe Escobari

25 shtator 2023 | 12:47

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, do të takohet gjatë ditës me këshilltarët diplomatikë të liderëve të Francës, Gjermanisë dhe Italisë. Kështu kanë bërë me dijë burime nga Brukseli. Sipas këtyre burimeve, në takim do të jetë edhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Ky takim i jashtëzakonshëm pason një sulm ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, të dielën, më 24 shtator, ku mbeti i vrarë një polic. Sulmuesit janë të kombësisë serbe.

Policia e Kosovës ka bërë me dije se sulmi është kryer në fshatin Banjskë të Zveçanit dhe se ka edhe të lënduar. Më vonë gjatë ditës, tre sulmues u vranë dhe gjashtë persona u arrestuan.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se grupi i sulmuesve është “formacion terrorist dhe kriminal”.

Ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili iu drejtua publikut të dielën në mbrëmje, i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke thënë se serbët e Kosovës u rebeluan “duke mos dashur të vuajnë më terrorin e Kurtit”.

Bashkësia ndërkombëtare e dënoi këtë sulm. Lidhur me këtë, Bashkimi Evropian doli dy herë me komunikata. Kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, e vlerësoi sulmin si agresion, dhe aktin si “terrorist”. /Radio Evropa e Lirë

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bizneset evropiane në Kinë po vënë gjithnjë e më shumë…