Zjarrfikësit protestojnë të enjten para Qeverisë

29 nëntor 2023 | 21:35

Protesta e paralajmëruar e zjarrfikësve të Kosovës do të mbahet të enjten e 30 nëntorit, përmes të cilës do të kërkojnë që ekzekutivi t’i përmbushë kërkesat e tyre.

Kjo protestë, e cila është thirrur nga Sindikata e Zjarrfikëseve të Kosovës, do të mbahet duke filluar nga ora 11:00, ndërsa lokacioni do të jetë objekti i Qeverisë së Kosovës.

Organizimi i kësaj proteste vjen pak ditë pasi që zjarrfikësit e kishin paralajmëruar një gjë të tillë, saktësisht me 17 nëntor, ku kishin shprehur pakënaqësitë e tyre në raport me ekzekutivin e drejtuar nga Albin Kurti.

Ata i kishin dërguar një reagim kryeministrit Albin Kurti, dhe institucioneve relevante, ku kishin thënë se zjarrfikësit janë në një situatë shumë të rëndë sa i përket organizimit, financimit dhe menaxhimit të shërbimit të zjarrfikjes dhe shpëtimit.

Protesta e zjarrfikësve vjen pas vendimit të qeverisë për t’ua siguruar mjetet për rrezikshmëri në punë vetëm Policisë së Kosovës, gjë që është kundërshtuar nga ta, derisa kishin kërkuar qasje urgjente nga qeveria.

Vendimin në fjalë, Sindikata e zjarrfikësve e kishin konsideruar si selektiv.

Zjarrfikësit nuk janë të vetmit që po protestojnë për shkak të pakënaqësive me qeverinë sa i përket kushteve të tyre.

Më 1 nëntor, në shenjë frustrimi për qasjen e ekzekutivit në raport me kërkesat e tyre, kishte protestuar edhe Njësia Speciale Intervenuese (NjSI).

Madje, ata kishin paralajmëruar edhe një protestë tjetër gjashtë ditë më vonë, por e njëjta ishte pezulluar, pasi që kishin marrë premtim nga Kurti për t’i pritur në takim – në të cilin kryeministri nuk kishte qenë i gatshëm për një zgjidhje kompromisi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Xhavit Jashari nga shoqatat e dala nga lufta, e ka…