Zmbrapsja jonë nga krishterimi nuk do të thotë humbje e kuptimit tonë për moralin

12 shtator 2023 | 08:40

Nga: Kenan Malik / The Guardian
Përkthimi: Agron Shala 

Një trajtë që çdo javë njihet më pak e më pak
Një qëllim më i paqartë. Pyes veten se kush
Do të jetë i fundit, krejt i fundit, për ta kërkuar
Këtë vend për atë që ishte dikur …

Kështu mendoi Philip Larkini në poezinë e tij të vitit 1954, Duke shkuar në kishë, që ka të bëjë me vizitën në një kishë të zbrazët, për ta dhënë vlerësimin si dikush që nuk ka besim. Përbrenda saj ai gjen pak kuptim por, megjithatë, ai po ashtu e njeh rëndësinë e ndërtesës për historinë dhe për kulturën e kombit, ndoshta edhe për natyrën njerëzore:

Është shtëpi serioze në tokë serioze,
Në ajrin e trazuar të të cilit takohen shtrëngimet tona,
Njihen dhe vishen si fate.
Dhe kjo kurrë nuk mund të vjetrohet

Pothuajse 70 vjet më vonë, ne ende luftojmë me emocionet kontradiktore me të cilat Larkini merrej në poezinë e vet. Cili është roli i fesë në epokën tonë laike? Çfarë do të thotë të jesh besimtar? Dhe, çfarë të mos besosh?

Një sondazh i fundit i klerit anglikan i botuar në Times, tregoi se vetëm një e katërta mendojnë se Britania e sotme është vend i krishterë. Pothuajse dy të tretat besojnë se “vetëm historikisht, jo aktualisht”, Britania mund të quhet si e krishterë. Sondazhi gjithashtu tregoi mbështetjen e shumicës për priftërinjtë, që atyre t’ju lejohej martesa si çifte homoseksuale, dhe se kisha do të duhej të hiqte dorë nga kundërshtimi ndaj seksit paramartesor.

Asgjë nga kjo nuk do të duhej të na befasojë. Nga regjistrimi i vitit 2021, ne tashmë dimë se ka rënë përqindja e njerëzve që identifikohen si të krishterë në Angli dhe në Uells – të parën herë të parë nën gjysmë – ndërsa me shpejtësi janë rritur numrat e atyre që janë “pa fe”. Ne gjithashtu e dimë, nga shumë sondazhe, se shumica e të krishterëve në Britani, si ata që ndjekin kishën ashtu edhe ata që nuk e praktikojnë besimin, i mbështesin martesat e homoseksualëve dhe se shpeshherë kanë pikëpamje që bien në kundërshtim me mësimet e kishës. Në disa mënyra, sondazhi i Times-it e zbuloi një kler që pasqyron kongregacionin.

Në këtë sondazh dhe në rezultatet e regjistrimit, shumë komentatorë panë prishjen e vazhdueshme shoqërore dhe morale të Britanisë. “Ky tingull i çarjes që dëgjoni,” shkroi kolumnistja e Daily Telegraph-it, Celia Walden, është “shtylla kurrizore morale e Britanisë, që po copëtohet në një mijë pjesë.”

Zmbrapsja nga krishterimi, për disa është e pandashme nga rënia e numrit të “britonëve të bardhë”, e që të dy këto janë pasojë e emigracionit masiv që minon karakterin tradicional të identitetit britanik. “Ndryshimi i përbërjes fetare të Britanisë,” sugjeron komentatori konservator Douglas Murray, në librin e tij Vdekja e çuditshme e Evropës, i referohet “ndryshimeve të mëdha etnike” të shkaktuara nga emigracioni.

Ironia është se pa emigracionin masiv, krishterimi do të ishte në një nivel edhe më të dobët. Emigrantët, veçanërisht ata nga Afrika dhe nga Evropa Lindore, prej kohësh kanë luajtur rol të madh në mbështetje të besimit. Është një nga arsyet se pse – siç vëren raporti i grupit të mendimit të krishterë, Theos – krishterimi themelet më të forta i ka jo në ndonjë zonë të bardhë konservatore, por në atë të babilonisë liberale – në Londër.

Nëse demografia e krishterimit po ndryshon, aq më e gjerë është natyra e besimit dhe mosbesimit. Një dekadë më parë, Linda Woodhead – tani profesoreshë e teologjisë dhe e studimeve fetare në Kolegjin Mbretëror [King’s College] në Londër – kreu një seri të sondazheve mbi pikëpamjet morale të besimtarëve dhe të jobesimtarëve. Rezultatet më të habitshme ndoshta qëndronin te burimet te të cilat besimtarët u drejtuan për udhëzime morale.

Për drejtim moral, vetëm një për qind e anglikanëve dhe katolikëve drejtimin e kërkuan te shkrimet e shenjta, dhe vetëm tre për qind dhe tetë për qind, respektivisht, atë e kërkuan te mësimet ose te traditat e krishtera. Në vend të kësaj, 34 për qind e anglikanëve dhe 29 për qind e katolikëve u mbështetën në “arsyen dhe në gjykimin e vet” dhe rreth një e pesta e të dy grupeve vëmendjen ua kushtonin “intuitave ose ndjenjave të veta”.

Një mënyrë për të kuptuar këto shifra është zbulimi i gatishmërisë më të madhe, nga ana e njerëzve, për të menduar për veten dhe për ta përdorur arsyen për të udhëhequr me vendimmarrjen morale. Megjithatë, sondazhet e Woodheadit gjithashtu ekspozojnë efektet gërryese të një shoqërie më të individualizuar, si dhe erozionin e mekanizmave kolektivë për marrjen e vendimeve morale. Krishterimi, ka vërejtur filozofi katolik Charles Taylor, po shkëputet nga ankorimet e veta tradicionale historike dhe sociale, duke u rindërtuar – në vend të kësaj – si pjesë e kulturës së “individualizmit ekspresiv”.

Për disa, si kolumnisti i Sunday Times-it, Rod Liddle, kjo humbje e ndikimit të krishterimit tradicional, mban përgjegjësinë për prishjen e kornizës morale të Britanisë. Pa ndjesinë se “na shikojnë dhe nga gjykojnë nga lart”, shkruan ai, “natyrshëm që zhytemi në narcizëm” dhe “amoralitet”. Është ky këndvështrim i moralit si një lloj burgu dhe i njerëzve si të shthurur dhe të korruptuar, të gatshëm për të bërë gjënë e duhur vetëm nëse dinë se veprimet e tyre janë duke u vëzhguar. Një cinik mund të sugjerojë se është e pashmangshme që një figurë e tillë, si Liddle, të arrijë në pikëpamjen e tillë. Megjithatë, shumë mbështetës ka ideja se pa fe nuk ka kufij moral – këtu vlen ta keqinterpretojmë paksa Dostojevskin, se “Nëse Zoti nuk ekziston, gjithçka lejohet!”

Megjithatë, vetë historia e krishterimit na tregon se nuk është besimi në Zot ai që i përcakton vlerat tona morale, por vlerat tona morale formojnë mënyrën se si ne mendojmë për Zotin. Të krishterët (si ata besimeve të tjera) dikur skllavëruan qeniet e tjera njerëzore, dogjën shtrigat dhe vranë kurorëshkelësit, duke besuar se praktikat e tilla kanë sanksion hyjnor. Praktikat e tilla, pak të krishterë sot do t’i konsideronin si moralisht të pranueshme. Jo që Zoti e ka ndryshuar mendjen, por sepse njerëzit e kanë ndryshuar mendjen.

Lufta kolektive shoqërore – nga fushatat për të shfuqizuar skllavërinë e deri te betejat për të drejtat e grave – janë mbështetur te vlerat morale, duke u bërë gjithashtu burim i zhvillimit moral. Përpjekjet e tilla kanë transformuar universin tonë moral dhe, duke vepruar kështu, gjithashtu e kanë transformuar edhe atë që besimtarët paramendonin se Zoti e vlerëson si të mirë.

Sot, lëvizjet e tilla kolektive për ndryshim kryesisht shtrihen në huti. Efektet gërryese të atomizimit dhe fragmentimit shoqëror, që pjesërisht kanë çuar në vyshkjen e fesë tradicionale, kanë pasur ndikim edhe më të madh në lëvizjet shoqërore laike – nga sindikatat te fushatat politike. Kjo, nga ana tjetër, ka ndihmuar në shtrembërimin e busullës sonë morale.

Është për t’u habitur se shumë nga ata që ankohen për rënien bashkëkohore morale, gjithashtu janë në ballë të demonizimit të njerëzve në margjinat e shoqërisë ose të atyre që luftojnë për ndryshime shoqërore – nga azilkërkuesit e deri te pretenduesit për marrje të ndihmave, nga sindikalistët te protestuesit. Nëse duam ta mbajmë një qëndrim kundër prishjes morale, nuk ka vend më të mirë për t’i filluar sesa duke e sfiduar demonizimine tillë.

Ashtu si Larkinit, më pëlqen të vizitoj kishat e vjetra dhe të thith rezonancat e historisë dhe të traditës. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se në hapësirat e zbrazëta ne duhet t’i kërkojmë shkaqet e telasheve tona morale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga: Qerim Vrioni Midis të huajve, të cilët gjatë qëndrimit…