Zonja e Parë e Ukrainës: Është një gjendje e turpshme të fshihesh, por unë e përjetoj këtë turp çdo çast

24 prill 2022 | 01:01

Zonja e Parë e Ukrainës: Ukrainasit besojnë në të ardhmen dhe fitoren e tyre

Gruaja e presidentit Volodymyr Zelenskyy, Olena Zelenska, iu përgjigj pyetjeve të Anadoly Agency-së në lidhje me gjendjen e saj emocionale dhe mendimet mbi luftën që po vazhdon në vendin e saj

Zonja e Parë e Ukrainës, Olena Zelenska tha se ndien dhimbje për shkak të luftës së Rusisë në vendin e saj, sikurse çdo person normal që do të ndihej në rrethana të tilla.

Në një intervistë me shkrim për Anadolu Agency (AA), duke iu përgjigjur një pyetjeje se si po qëndron, si po e ruan gjendjen e saj psikologjike si grua, nënë dhe individ, Zelenska tha në formë të pyetjes retorike: Si duroj pas Bucha-s, ku u masakruan civilët, dhe Mariupolit, që u shkatërrua, ku nuk dihej fati i dhjetëra mijëra njerëzve? Pas bombave që bien çdo ditë në Kharkiv? Pas 200 fëmijëve që vdiqën dhe mijërave që u gjymtuan?”.

“Ndoshta duhet të kisha thënë diçka interesante dhe epike këtu, por unë jam njeri para së gjithash dhe ndiej dhimbje si çdo njeri normal. Çdo ditë”, theksoi ajo.

“Kur shikoj lajmet, mendimi i parë që më shkon në mendje është ‘të mos ketë një bombardim tjetër’. Kur shoh përsëri Rusinë duke qëlluar, mendoj ‘të mos ketë viktima’. Por, ndodh. Sepse Rusia qëllon civilët”, shtoi Zelenska.

Duke thënë se çdo ukrainas i ndien këto emocione, Zonja e Parë theksoi se ajo dhe të gjithë ukrainasit po bëjnë atë që dinë më mirë për ta arritur fitoren për vendin e saj.

“Disa luftojnë, disa mjekojnë, ne po evakuojmë jashtë vendit fëmijët e sëmurë në Ukrainë së bashku me homologët tanë në vende të ndryshme”, tha ajo.

“Të gjithë po bëjnë çmos për të lehtësuar dhimbjen e vet dhe dhimbjen e të tjerëve”, tha më tej Zelenska, duke shtuar se ajo për përpiqet të ketë durim.

– Mbështetja e Turqisë

Duke kujtuar vizitën e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan dhe Zonjës së Parë Emine Erdoğan në Kiev vetëm tri javë para shpërthimit të luftës, ajo tha: “Kjo duket sikur të ishte një jetë tjetër”.

Zonja e Parë e Ukrainës përshëndeti marrëdhënien me homologen e saj turke, duke thënë se “miqësia që filloi në jetën para luftës po vazhdon dhe në fakt po forcohet”.

“Kur filluam të kërkonim një vend të sigurt për fëmijët tanë (jetimë), Turqia ishte ndër vendet që preferonim më shumë”, tha Zelenska, duke shtuar se ajo kontaktoi Emine Erdoğan-in për mbështetjen e saj në lidhje me këtë çështje.

Të paktën 973 fëmijë ukrainas u evakuuan në Turqi, me përpjekjet e “ekipit të madh, duke përfshirë Ambasadën e Ukrainës në Ankara, përfaqësues të qeverisë lokale në Ukrainë, filantropë dhe vullnetarë”, tha ajo.

“Me pak fjalë, ne ndjemë mbështetjen e Turqisë jo me fjalët, por me veprimet e saj”.

– Jeta në fshehtësi

Duke folur për “jetën në fshehtësi të madhe” dhe rrezikun për jetën në kohën e luftës, Zonja e Parë ukrainase tha se është “një gjendje e turpshme të fshihesh”.

“Unë e përjetoj këtë turp çdo çast”, u shpreh ajo.

“Rreziku për jetën është gjithmonë aty për të gjitha gratë, burrat dhe fëmijët e Ukrainës”, tha më tej Zelenska.

– Rastet e përdhunimit

Në lidhje me raportimet për përdhunimin e grave ukrainase nga trupat ruse, Zelenska tha se “të flasësh për këto ngjarje është më e tmerrshme sesa të flasësh për vrasje”, ndërsa shtoi se viktimat janë ende në dhimbje.

Duke thënë se mendimi nga një incident i tillë “rikthehet pa pushim” në mendjet e viktimave, ajo theksoi se “jeta e tyre prishet pas përdhunimit, por ata duhet të jetojnë disi duke i mbledhur copat e tyre një nga një”.

Ajo theksoi se “përmasat e tmerrshme” të incidenteve të tilla duhet të tregohen por me shumë kujdes për të parandaluar traumat shtesë për viktimat.

Duke kujtuar masakrën nga Bucha dhe gratë e kapura nga rusët, Zelenska tha: “Nëntë gra mbetën shtatzënë. Ne themi ‘gra’, por në të vërtetë ka vajza të mitura”.

Ajo u bëri thirrje gjithashtu viktimave ukrainase të përdhunimit duke thënë: “Ju jeni të paçmueshme. Jetët tuaja janë të paçmueshme. Ajo që ju ndodhi është faji i maniakëve të armatosur. Ju lutem mos heshtni, mos e mbani këtë dhimbje brenda, flisni me ne, flisni me njerëzit që u besoni”.

Në lidhje me bashkëpunimin me SHBA-në, ajo tha se Zonja e Parë, Jill Biden nuk e ka kontaktuar drejtpërdrejt, por ajo shpreson të punojë së bashku me të.

“Që nga dita e parë e luftës kam marrë letra nga homologet e mia, bashkëshorte të liderëve botërorë. Letrat në të cilat kishte fillimisht mbështetje, më vonë u kthyen në letra me ofertë të qartë ndihme”, tha ajo.

– Dëshira për paqe

Lidhur me mundësinë e një paqeje, Zonja e Parë kujtoi një thënie që thotë: “Nëse doni paqe, përgatituni për luftë”.

“Ne besojmë në të ardhmen tonë dhe për më tepër në fitoren tonë. Jemi gati për çdo distancë që do të çonte drejt fitores. Nëse kjo fitore vjen më shpejt nga ç’presim, sigurisht që do të ishim më të kënaqur me të”, tha për AA, Olena Zelenska.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qytetarët që sot po udhëtojnë nga Kosova për në vendet…